I ati ra në mal dhe humbi jetën, kë telefonoi i biri para ambulancës? Detaje nga vdekja e themeluesit të “Mango”

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e biznesmenit Isak Andik, themeluesit të “Mango” dhe një prej njerëzve më të pasur të Katalonjës, i cili humbi jetën në dhjetor të vitit 2024 pas një rënieje gjatë një shtegu malor në Montserrat të Spanjës.
Djali i tij, Jonathan Andik, i cili tashmë akuzohet për vrasje nga pakujdesia, u la të martën i lirë pas pagesës së një garancie prej një milion eurosh.
Sipas medias spanjolle “La Vanguardia”, më 14 dhjetor 2024, babë e bir kishin shkuar në zonën e Montserrat dhe kishin parkuar automjetet në parkingun e Collbató, prej nga nis shtegu Les Feixades. Bëhet fjalë për një itinerar relativisht të lehtë, por të rrëshqitshëm, që lidh shpellat Salnitre me manastirin e Montserrat.
Sipas të njëjtave burime, vetëm dhjetë minuta pas nisjes së ecjes, biznesmeni 71-vjeçar ra në humnerë dhe ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Media spanjolle raportoi se Jonathan Andik, katër minuta pas incidentit, dyshohet se kreu telefonatën e parë drejt ish-partneres së të atit, Estefania Knuth, ndërsa dy minuta më vonë telefonoi numrin e emergjencës 112 duke kërkuar ndihmë.
Rreth gjysmë ore pas rënies, dy alpinistë që ndodheshin në zonë iu afruan Jonathan Andik, pasi dëgjuan thirrjet e tij për ndihmë.
Sipas burimeve të cituara nga “La Vanguardia”, Jonathan Andik fillimisht mendoi se bëhej fjalë për policë që kishin mbërritur për ta ndihmuar. Dy burrat konstatuan se ai ishte i çorientuar dhe u përpoqën ta ndihmonin. Njëri prej tyre mori telefonin e Jonathan Andik për t’i shpjeguar vetë operatorit të 112 vendndodhjen e saktë ku ndodheshin.
Më pas, alpinistët e shoqëruan drejt shtegut, ku u takuan me një nga policët e parë që kishte mbërritur në zonë.
Megjithatë, dëshmitë e dy alpinistëve nuk janë përfshirë në dosjen hetimore, pasi hetuesit vlerësuan se ata nuk kishin dijeni të drejtpërdrejtë për incidentin, duke qenë se kishin kontaktuar me djalin e viktimës disa kohë pas rënies.
Në dosje janë përfshirë, ndër të tjera, dëshmia e një punonjëseje sigurie të shpellave, e cila deklaroi se nuk kishte parë apo dëgjuar asgjë për shkak të pozicionit ku ndodhej, si edhe dëshmia e një efektivi të policisë lokale që mbërriti në vendngjarje pas aksidentit.
Hetimi gjyqësor
Çështja mori një kthesë të re pasi hetimi iu besua gjyqtares Raquel Nieto Galván, e cila mori detyrën në gjykatën e Martorell në qershor të vitit 2025.
Ndryshe nga paraardhësja e saj, gjyqtarja thuhet se ka mbështetur vlerësimin e policisë, sipas të cilit Jonathan Andik nuk po përshkruante me saktësi atë që kishte ndodhur ditën e vdekjes së të atit.
Në dosjen hetimore përfshihen fotografi të gjurmëve të këmbëve në vendin e rënies, si edhe një raport teknik i njësisë alpine të policisë, sipas të cilit gjurmët mund të jenë krijuar qëllimisht për të dhënë përshtypjen e një rrëshqitjeje aksidentale.
Hetuesit kanë evidentuar gjithashtu kundërthënie në dëshmitë e të akuzuarit, ndërsa gjyqtarja ka miratuar sekuestrimin e telefonit të tij celular.
Kujtojmë se Jonathan Andik u arrestua mëngjesin e së martës në banesën ku jeton me bashkëshorten e tij, Paula Nata. Sipas raportimit, një oficer policie e informoi se po arrestohej për vdekjen e të atit dhe iu dha mundësia të kontaktonte me avokatin e tij. Pas pagesës së garancisë prej një milion eurosh, ai u la i lirë.


