"Rama ka shpenzuar 23 milionë euro për udhëtime në dy vitet e fundit!", Akuza e Berishës: 300 mijë euro vetëm ...

Politikë

"Rama ka shpenzuar 23 milionë euro për udhëtime në dy

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shpenzime të mëdha në udhëtime dhe për shmangie të interpelancave në Kuvend.

 Sipas tij Rama ka shpenzuar 23 milionë euro për udhëtimet e tij, ndërsa vetëm udhëtimi i fundit ka kushtuar 300 mijë euro.

Ai ngriti gjithashtu akuza për korrupsion në projekte publike dhe investime të ndryshme, duke përmendur disa çështje infrastrukturore dhe fonde të mëdha të shpenzuara sipas tij pa rezultate.

Në fund, Berisha tha se qeveria është e përqendruar vetëm te abuzimi me fondet publike dhe se kryeministri, sipas tij, nuk guxon të përballet në Kuvend.

Po ashtu, ai hodhi akuza se qeveria është e zhytur në korrupsion dhe e ka mendjen vetëm për të vjedhur.

"Ai ka shpenzuar në dy vite 23 milionë euro me avion taksi. Mediat informojnë se vetëm udhëtimi i fundit ka kushtuar 300 mijë euro. Parlamenti bllokohet në hetimin e tij. Ne deklarojmë se jemi opozita dhe nuk do të pranojmë që aferat e tij korruptive të kalojnë pa u hetuar.

Ku është djegësi i Tiranës me 140 milionë euro? Ku është impianti i përpunimit të ujërave të zeza, për të cilin janë marrë 120 milionë dollarë kredi japoneze? Ku janë qindra milionë euro të shpenzuara për rrugët? Ku janë 240 milionë euro për fshatrat turistike?

Pastaj del ministrja Balluku dhe thotë: ‘Pse flisni ju?’ Po pse të mos flasim? Projekti ‘100 Fshatrat’ u soll këtu dhe e keni shtyrë me vite me radhë, ndërsa aty nuk ka më njerëz. E keni mendjen vetëm për të vjedhur. Nuk kanë ujë. Asnjë nga pikat nuk është realizuar. E vetmja gjë që po bëni është t’u merrni ujin.

Në Shetaj janë 50 vila të bukura të emigrantëve, por vetëm 19 prej tyre kanë nga një banor të moshuar prej dy vitesh.

Pse nuk vjen? Nuk vjen sepse është nxirë në Shqipëri dhe në Europë nga mbrojtja e vjedhjeve që ka bërë. Është i vetmi kryeministër hajdut që jeton në saraje me 9 mijë metra katrorë park, më i madh se pallati presidencial. Pse nuk vjen këtu ai? Ka frikë dhe tmerr", tha Berisha.

 

ME TE LEXUARAT