“Hynë në shtëpi e i vranë të 3”, si u shfaros familja e Nel Çamit. Rrëfen motra: Tentuan të më rrëmbejnë fëmijën…

Kjo thirrje përmes një zëri që tregonte betejë me vdekjen dhe tronditje të rëndë psikologjike, ishte alarmi që morën të afërmit e familjes Mahmuti duke gdhirë mëngjesi i datës 19 Mars 2011.
“Ka qenë bashkëshortja e vëllait tim që ngeli e plagosur nga tragjedia, masakra, edhe ajo merr në telefon çunin e xhajes sime i thotë: Hajde se ne na kanë vrarë..” u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.
Nusja e shtëpisë, Myzejenia, me plagë arme në trup, gjeti forca sa për të bërë njoftimin e tmerrshëm, e më pas, në banesën e familjes në lagjen “Syrja Dylgjeri”, mbërriti policia…
Skena ishte e tmerrshme. Një familje e shuar plotësisht. Babai Emin Mahmuti 62-vjeç, djemtë Xhelali 36-vjeç dhe Pëllumbi 42-vjeç, të 3 të vdekur në vend me plagë pistolete. Nusja e shtëpisë 42-vjeçarja, Myzejen Qosja, partnere e Pëllumbi u gjet në gjendje të rëndë, por fatmirësisht arriti të mbijetojë.
Në njërën prej dhomave u gjetën të vdekur me plumb pas koke Emini 62-vjeçar dhe i biri Xhelali 36-vjeçar. Në dhomën tjetër u gjet pajetë sërish me plumb në kokë djali tjetër Pëllumbi. Pas vrasjes së këtij të fundit, është goditur edhe partnerja e tij që u rrëzua pa ndjenja, duke u menduar e vdekur nga autori i krimit brutal.
“Hynë brenda në shtëpi e i vranë të 3, kjo është, kur na morën në telefon i thanë burrit tim ca të themi, e tmerrshme,kmasakër, si nuk më morën mua orgnet kompetente më bën çudi”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit
Viktimat, ishin familja e ngushtë e Zenel alias Andon Mahmutit, i njohur me nofkën “Nel Çami”. Asnjë prej personave të vdekur nuk kishte precedent penal. Ngjarja nuk është zbardhur sot e kësaj dite edhe pse hetimi u fokusua menjëherë në konfliktin e nisur në Spanjë me familjen Çaka. Autorët e krimit, duke qenë se nuk arrinin të gjenin Nelin, u hakmorën duke i shuar të gjithë familjen brenda në banesë.
“Tani, ne këtë gjë e dinim se i bënin shumë presion vëllait tim të vogël, Lalit, e Lali më thoshte motër do na vrasin, dhe babi ishte i frikësuar, i kalonin me makinë te këmbët e i thonin: Rro edhe ca ditë.. Everest Caka dhe Arjan Spahiu, ditët e fundit vëllait tim i futën tmerrin. Ta kemi prerë kostumin çam, edhe ca ditë edhe buzëkuqin..”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.
Ndër veprimet e para që kreu policia në atë kohë, ishte shoqërimi dhe marrja në pyetje e disa personave të konsideruar si të afërm me kundërshtarët e Nel Çamit. Në atë drejtim ishin edhe dyshimet e grupit hetimor. Vetë motra e viktimave, jep për herë të parë detaje konkrete duke folur edhe me emra…
“Everest Cakën, atë akuzoj, se atij iu vra vëllai në Spanjë edhe ai tha që nga familja e Nel Camit nuk do lë njeri dhe Lencin sat ë dalë nga burgu do e vras, ai e ka deklaruar atë”.
“Everesti ishte poshtë te shkallët, kur kaluan viktimat aty që i morën, edhe unë në katin e dytë që më pyetën, dhashë deklaratë, e kur zbres më thotë djali xhajes: E pe atë ai është Everesti,kokëmadh ashtu rrinte dridhej..” u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.
“Në çdo rast organet e drejtësisë, hetimit, policia ka detyrimin të verifikojë mundësinë e përmendjes emrave të mundshëm që mund kenë lidhje me ngjarjen, të vërtetojë nëse emrat lidhen me ngjarjen, ka prova që I lidhin dhe kur bindet që nuk lidhen dëshmitë me dyshimet me autorët konkretë që rezultojnë nga dëshmitë e familjarëve duhet ta vërtetojë këtë me prova të forta”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.