Ish-ministri britanik merret nën hetim si person i brendshëm i Jeffrey Epstein

Qeveria e Keir Starmer u ka dorëzuar materiale autoriteteve britanike për të hetuar nëse Peter Mandelson – një ish-ministër dhe ish -ambasador britanik në Shtetet e Bashkuara – i ka zbuluar informacione të ndjeshme financiare financierit Jeffrey Epstein, i cili është dënuar për krime seksuale, gjatë krizës financiare.
Kryeministri britanik, duke iu drejtuar kabinetit të tij sot, i përshkroi rrjedhjet e supozuara të informacionit si “të turpshme”, duke lëshuar dënimin më të fortë deri më tani për veprimet e politikanit, të cilin e kishte emëruar në pozicionin e ambasadorit vitin e kaluar, pavarësisht marrëdhënies së tij të njohur me Epstein.
Mandelson, i cili luajti një rol qendror në qeveritë e Tony Blair dhe Gordon Brown gati dy dekada më parë, tani mund të përballet me akuza penale, pasi emailet që ai shkëmbeu me biznesmenin amerikan duket se tregojnë dhënien e informacionit konfidencial financiar.
Dokumentet, të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, sugjerojnë se në vitin 2009 Mandelson i dërgoi Epstein një memo të destinuar për kryeministrin e atëhershëm Gordon Broën në lidhje me shitjet e mundshme të aseteve britanike dhe ndryshimet në taksim, ndërsa në vitin 2010 ai e informoi atë paraprakisht për një paketë shpëtimi financiar prej 500 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian.
Më herët sot, Starmer i tha kabinetit se qeveria e tij do të bashkëpunonte me policinë në çdo hetim, duke vënë në dukje se nuk ishte i bindur se të gjitha informacionet ishin zbuluar. “Kryeministri tha se ishte i tronditur nga informacioni që doli gjatë fundjavës në dosjet e Epstein”, tha zëdhënësi i tij.
Në të njëjtën kohë, policia tha se po hetonte raportet për “shkelje të mundshme të detyrës” nga ana e Mandelson.


