"Ishte e ngarkuar me armë kineze!", Misteret e anijes iraniane të kapur nga Shtetet e Bashkuara

Bota

"Ishte e ngarkuar me armë kineze!", Misteret e anijes iraniane

Një incident detar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka përshkallëzuar tensionet ndërkombëtare, duke u kthyer në një pikë të re përplasjeje në një moment delikat për negociatat mes palëve.

Sipas autoriteteve amerikane, anija tregtare “Touska MV”, me flamur iranian, është sekuestruar nga forcat amerikane në ujërat pranë Ngushticës së Hormuzit, pasi dyshohet se transportonte komponentë me përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak, në shkelje të embargos ndërkombëtare ndaj Teheranit. Operacioni është kryer nga forcat detare amerikane pas, siç thuhet, paralajmërimeve të përsëritura që nuk janë respektuar.

Shtëpia e Bardhë e ka justifikuar aksionin si pjesë e zbatimit të sanksioneve ndaj Iranit, ndërsa presidenti Donald Trump ka hedhur akuza edhe ndaj Kinës, duke sugjeruar se ngarkesa mund të jetë “dhuratë kineze”.

Nga ana tjetër, Irani ka reaguar ashpër, duke e cilësuar sekuestrimin si “akt piraterie” dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Autoritetet në Teheran kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të anijes dhe ekuipazhit, të cilin e kanë quajtur “pengje”.

Ministria e Jashtme iraniane dhe zyrtarë të lartë në Teheran e kanë lidhur incidentin me tensionet e përgjithshme në rajon, duke e konsideruar një përshkallëzim të rrezikshëm që mund të ndikojë edhe në proceset e brishta diplomatike.

Ndërkohë, fati i ekuipazhit mbetet i paqartë, ndërsa raportet flasin për marinarë iranianë dhe ndoshta edhe shtetas të tjerë nga vende të rajonit.

Incidenti vjen në një moment kur përpjekjet për rifillimin e bisedimeve SHBA–Iran janë ende të pasigurta, duke shtuar më tej paqartësinë në një situatë tashmë të tensionuar në Lindjen e Mesme.

ME TE LEXUARAT