"Bota është bërë më e pasigurt dhe më e rrezikshme”, Gjermania prezanton strategjinë e re ushtarake

Qeveria gjermane ka prezantuar strategjinë e re për forcat e armatosura, sipas së cilës synohet që deri në vitin 2035 ushtria të arrijë rreth 260 mijë ushtarë aktivë dhe rreth 200 mijë rezervistë, në kuadër të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë prezantimit të planit, e cilësoi Rusinë si “kërcënimin kryesor” për sigurinë e Gjermanisë dhe Evropës, duke theksuar se situata globale është bërë më e paqëndrueshme dhe më e rrezikshme, veçanërisht pas luftës në Ukrainë dhe krizave të tjera ndërkombëtare.
Sipas Pistorius, fokusi i strategjisë së re nuk është vetëm rritja e numrit të personelit ushtarak, por edhe modernizimi dhe forcimi i kapaciteteve teknologjike të Bundeswehr-it, për ta bërë ushtrinë më të gatshme për sfidat e së ardhmes.
“Duhet të përgatitemi për faktin se paqja dhe siguria nuk janë më të garantuara, por duhet të mbrohen aktivisht”, u shpreh ai, duke theksuar nevojën për gatishmëri të vazhdueshme.
Ai paralajmëroi gjithashtu për rritjen e kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet kibernetike, sabotazhin, spiunazhin dhe fushatat e dezinformimit, të cilat sipas tij po përdoren gjithnjë e më shumë si mjete presioni.
Ministri gjerman deklaroi se Rusia synon të dobësojë unitetin e NATO-s dhe të rrisë ndikimin e saj në Evropë, ndërsa strategjia e re synon të forcojë bashkëpunimin me aleatët dhe të garantojë një mbrojtje më të fortë kolektive.
Në total, së bashku me aleatët e NATO-s, parashikohet që rreth 460 mijë trupa të jenë të gatshme për reagim në rast të një kërcënimi të mundshëm ushtarak.


