Izraeli "prish" armëpushimin me sulme ndaj Libanit, 182 viktima, reagime nga mbarë bota

Reagimet ndërkombëtare po shtohen ndaj sulmeve masive të Izraelit në Liban të mërkurën, të cilat vranë 182 persona dhe plagosën 890 të tjerë , dhe kërcënuan të përmbysin armëpushimin e trazuar midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Pakistani , i cili e dënoi sulmin, ka pohuar se Libani është i përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit për të cilën ai ndihmoi të ndërmjetësohej midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Megjithatë, administrata Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë thënë se armëpushimi nuk vlen për operacionet kundër Hezbollahut në Liban.
Presidenti i Francës , Emmanuel Macron, dënoi ato që i përshkroi si sulme “pa dallim” nga Izraeli ndaj Libanit, të cilat sipas tij “paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë e armëpushimit”.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, tha se sulmet e Izraelit ndaj Libanit ishin “thellësisht dëmtuese” dhe se Britania dëshiron “ta shohë Libanin të përfshirë në armëpushim”, në një intervistë me Times Radio të enjten, sipas Reuters.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, tha se “përbuzja e jetës dhe e ligjit ndërkombëtar nga ana e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, është e patolerueshme”. Ai gjithashtu bëri thirrje që Libani të përfshihet në armëpushim .
Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë , Antonio Tajani, tha se i telefonoi Presidentit të Libanit, Joseph Aoun, për të shprehur solidaritet për “sulmet e pajustifikuara dhe të papranueshme”.
Tajani tha se thirri ambasadorin izraelit për një takim, duke shtuar: “ne duam të shmangim një Gazë të dytë”.
Ministria e Jashtme e Katarit dënoi sulmet “e urryera” dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta detyrojë Izraelin të “ndalojë masakrat e tij brutale”.
Ministria e jashtme e Turqisë i dënoi sulmet “me termat më të ashpra” dhe akuzoi qeverinë e Netanyahut për minimin e “përpjekjeve ndërkombëtare që synojnë vendosjen e paqes dhe stabilitetit”.
Kritika kanë vërshuar edhe nga Kombet e Bashkuara dhe OJQ-të.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, dënoi “pa mëdyshje” sulmet dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund armiqësive, të cilat ai tha se “paraqesin një rrezik të madh për armëpushimin”, në një deklaratë nga një zëdhënës të mërkurën.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se ishte “i indinjuar” nga vdekjet dhe shkatërrimet në zonat me popullsi të dendur në të gjithë Libanin.


