VIDEO/ Makina përplas këmbësorët në Manhattan, dy të vdekur dhe tre të plagosur rëndë

Bota

VIDEO/ Makina përplas këmbësorët në Manhattan, dy

Dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë pasi një automjet  u përplas me këmbësorët në New York City.

Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes në zonën e Manhattan, rreth orës 18:00 sipas kohës lokale, kur drejtuesi i mjetit, sipas raportimeve paraprake, humbi kontrollin e automjetit.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga New York Post, tregojnë momentin kur makina kalon me shpejtësi në një kryqëzim, përpara se të përplaset fillimisht me një furgon të parkuar pranë një berberhaneje dhe më pas me një grup personash që ndodheshin jashtë biznesit.

Si pasojë e përplasjes, dy persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa tre burra, të moshave 36, 44 dhe 51 vjeç, mbetën të plagosur rëndë. Sipas policisë, ata u dërguan në spitalin Mount Sinai Morningside, i njohur më parë si Spitali St. Luke’s, dhe ndodhen në gjendje kritike.

Autoritetet kanë arrestuar shoferin 61-vjeçar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Policia po verifikon nëse ai ka pësuar ndonjë problem shëndetësor ose nëse faktorë të tjerë kanë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjetit.

Sipas raportimit të CBS News, hetuesit nuk dyshojnë aktualisht për një akt kriminal apo terrorist. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende në vijim.

 

ME TE LEXUARAT