‘Mendova se do humbja shikimin’ - Deputeti italian dhe gazetari rrëfejnë dhunën nga izraelitët: Na rrahën si kriminelë

Deputeti italian Dario Carotenuto, gazetari Alessandro Mantovani dhe aktivisti Ruggero Zeni kanë denoncuar dhunë fizike dhe psikologjike nga forcat izraelite, pas ndalimit të një anijeje të flotiljes “Sumud” që synonte dërgimin e ndihmave drejt Gazës.
Sipas tyre, ndalimi është kryer në ujëra ndërkombëtare dhe kërkohet ndërhyrja e autoriteteve italiane për mbrojtjen e qytetarëve të tyre.
Të mbërritur në aeroportin e Fiumicinos, ata deklaruan se janë përballur me goditje, shkelma dhe trajtim të ashpër gjatë ndalimit, ndërsa përshkruan kushte të rënda dhe frikë gjatë mbajtjes së tyre.
Deputeti Carotenuto tha se ai dhe të tjerët janë mbajtur të prangosur gjatë gjithë kohës dhe u trajtuan “si kriminelë”, ndërsa denoncoi edhe frikësim dhe dhunë ndaj aktivistëve të tjerë të ndaluar.
Sipas dëshmive të tyre, disa persona kanë pësuar lëndime dhe janë raportuar raste të abuzimeve, ndërsa ata i bëjnë thirrje qeverive dhe BE-së të ndërmarrin veprime konkrete dhe sanksione ndaj situatës.
"Jemi të shqetësuar, ne morëm goditje, por të tjerë u rrahën brutalisht”, tha gazetari Mantovani.
“Më goditën këtu dhe këtu (shpjegoi gazetari duke treguar fytyrën pak të ënjtur) më dhemb këmba, më goditën me shkelma aty, në shpinë, por mendoj se nuk është asgjë serioze. Të tjerë u rrahën shumë më rëndë se ne”, vijoi gazetari.
Teksa fliste, byzylyku portokalli që në bordin e anijes shërbente si një numër identifikimi, 164, i lëkundej ende në dorë. Carotenuto kishte numrin 147.
“E kush e harron më”, u shpreh me ironi gazetari për dhunën e pësuar.
Ai ishte i lodhur, dukej qartë, ndërsa disa herë gjatë rrëfimit për pak sa shpërthen në lot, mezi përmbahet.
“Ishte një kontejner i errët, sapo hyje aty gjeje tre burra të fuqishëm që fillonin të të rrihnin. Më goditën në sy, mendova se do të humbisja shikimin, më jepnin shkelma, kishin edhe taser. Na rrihnin dhe në të njëjtën kohë thoshin ‘Mirë se vini në Izrael’”, deklaroi nga ana tjetër deputeti.
Por, shpjegon ai, ndoshta ai nuk ishte momenti më i keq.
“Në një moment ishim me të gjithë të tjerët, na thirrën me numra, na thanë të bënim një hap përpara, të ngrinim duart dhe të ktheheshim me shpinë. Ishin 20 sekondat më të gjata të jetës sime, nuk e dija çfarë do ndodhte, mendova për djalin tim me frikën se nuk do ta shihja më”, tha deputeti, ndërsa një valixhe aty pranë bie në tokë dhe ai tronditet.
“Nuk ishte granatë, por më kujton diçka”, shton me një buzëqeshje të lehtë.
Si të gjithë të tjerët, edhe dy italianët e liruar të parët u mbajtën të prangosur gjatë gjithë kohës, edhe kur u dërguan në aeroport kishin pranga në duar dhe në këmbë.
“Si kriminelë”, deklaroi Carotenuto i tronditur.
“Ata që pamë atje ishin të tmerruar”, vazhdoi ai, duke treguar për aktivistë me krahë dhe brinjë të thyer, katër të dërguar në spital, një i ri gjerman i goditur me qytën e pushkës dhe me shenja në formë rrethore në shpinë, të cilit më pas i ishte qëlluar edhe me plumb gome në këmbë, të moshuar me fashime të mëdha, një djalë indonezian i lagur deri në palcë që dridhej pa ndalur.
Disa aktivistë kanë denoncuar edhe abuzime dhe ngacmime seksuale.
Ndihma mjekësore nuk është dhënë nga izraelitët, por nga mjekë dhe infermierë të pranishëm në flotilje, përfshirë Margaret Connolly, motra e presidentes irlandeze.
“Ka pasur një rritje të qartë të dhunës”, shpjegoi Mantovani.
“Duket groteske, sepse janë operacione ushtarake kundër një nisme paqësore. Rritja e dhunës është strategji e Izraelit”. vijoi gazetari.
Ata u shprehën shumë të shqetësuar edhe për aktivistët e tjerë të cilët janë ende të ndaluar.
“Qeveria duhet të bëjë gjithçka për t’i kthyer në shtëpi tani, mjaft me deklarata formale, duhen veprime konkrete”, tha Carotenuto.
“Meloni duhet të jetë e përgjegjshme dhe kjo do të thotë sanksione”, shtoi deputeti Arturo Scotto, “dhe një qëndrim më të fortë që ta çojë Italinë të bashkohet me 19 vendet që kërkojnë pezullimin e marrëveshjes së bashkëpunimit.”


