Pse Putin qëndron larg rrjeteve sociale? Kremlini: Nuk është puna e tij! Familja dhe të njohurit ndajnë informacione
Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka plane të ketë llogari personale në mediat sociale, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për TASS të hënën.
Presidenti është “i pranishëm në mediat sociale” përmes kanaleve zyrtare të Kremlinit, por nuk ka ndërmend të angazhohet personalisht sepse, “siç e ka thënë shumë herë, kjo nuk është puna e tij”, shpjegoi Peskov.
Zëdhënësi më parë vuri në dukje se stafi i Kremlinit e mban Putinin të informuar mbi temat në trend në internet, ndërsa familja dhe të njohurit e tij herë pas here ndajnë informacione me të.
Në vitin 2017, Putin tha se axhenda e tij nuk i linte kohë për të shfletuar internetin. Ai shtoi se çfarëdo kohe të lirë që kishte, ishte më mirë ta shpenzonte për fitnes dhe aktivitete të tjera që e ndihmonin të çlodhej.
“Unë e organizoj axhendën time në një mënyrë që i lë kohë zhvillimit krijues, si të dëgjoj muzikë, sporte ose të bisedoj me miqtë “, tha ai. “Nëse nuk gjen kohë për këtë, nuk do të gjesh kohë për asgjë.”