Publikohet raporti, eurodeputetët vlerësojnë progresin e Shqipërisë në negociatat me BE-në

Eurodeputetët në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian kanë vlerësuar përkushtimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar progresin e arritur në bisedimet e pranimit dhe nevojën për zbatimin e plotë të reformave të miratuara.
Në një raport të miratuar me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, eurodeputetët përshëndesin angazhimin e Shqipërisë ndaj integrimit europian dhe ritmin e shpejtë të reformave vitet e fundit, duke kërkuar që legjislacioni i miratuar të zbatohet në praktikë.
Megjithatë, në raport theksohet se vendi ende përballet me sfida të rëndësishme, si polarizimi politik, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i luftës kundër korrupsionit.
Duke marrë parasysh ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027, eurodeputetët paralajmërojnë se cilësia e reformave do të jetë përcaktuese për afatin e anëtarësimit.
Në pjesën që lidhet me sundimin e ligjit, raporti vëren se gjyqësori vijon të përballet me presione dhe kërcënime politike, të cilat mund të cenojnë pavarësinë e tij. Po ashtu, korrupsioni mbetet ende një shqetësim serioz, ku kërkohet forcim i hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve për rastet e nivelit të lartë.
Raporti ndalet edhe te krimi i organizuar, duke kërkuar luftë më efektive ndaj pastrimit të parave dhe rrjeteve të trafikut të drogës.
Sa i përket medias dhe administratës publike, eurodeputetët kërkojnë mbrojtje më të fortë të lirisë së shprehjes, si dhe reforma që garantojnë meritokraci dhe depolitizim të shërbimit civil.
Ndërkohë, përshëndetet edhe përputhja e plotë e Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe roli i saj në stabilitetin rajonal.
Raportuesi Andreas Schieder (S&D, Austri) u shpreh se Shqipëria është një nga vendet pararojë të procesit të zgjerimit, duke vlerësuar se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 është një perspektivë realiste, por duke theksuar gjithashtu rëndësinë e dimensionit social të integrimit dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.


