SHBA i përgjigjet Vuçiçit për Ibrin: “Pa normalizim Kosovë-Serbi, nuk ka stabilitet në Ballkan”

Pas Bashkimit Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara kanë reaguar lidhur me deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka theksuar se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbetet një prej prioriteteve të politikës së SHBA-së.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, është shprehur zëdhënësi i DASH.
Reagimi amerikan vjen pasi Bashkimi Evropian gjithashtu shprehu shqetësim për deklaratat e presidentit serb. Zëdhënësja e BE-së, Anita Hipper, deklaroi më herët se deklarata që lidhen me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër nuk ndihmojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiç deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë, në bashkëpunim me ekspertë, mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.
Presidenti serb e lidhi këtë deklaratë me pretendimet për prishjen e shtëpive dhe vilave të banorëve serbë pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.
Deklaratat kanë nxitur reagime në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa çështja e lumit Ibër është kthyer në një tjetër pikë debati mes Kosovës dhe Serbisë.


