SHBA, Shtëpia e Bardhë paralajmëron punonjësit: “Mos vini bast për luftën me Iranin

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar punonjësit e saj që të mos e shfrytëzojnë pozicionin e tyre për të spekuluar mbi zhvillimet e luftës me Iranin. Këtë e ka zbuluar Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Sipas disa informacioneve, Shtëpia e Bardhë u ka dërguar një email punonjësve duke i paralajmëruar që të mos abuzojnë me pozicionin e tyre për të kryer operacione të tregtimit të brendshëm (insider trading) dhe kontrata të së ardhmes (futures).
Ky email paralajmërues për të gjithë stafin e Shtëpisë së Bardhë është dërguar më 24 mars, pak pasi presidenti Donald Trump kishte njoftuar një pezullim të papritur të sulmeve ndaj Iranit.
Ky veprim është paraprirë nga një aktivitet i pazakontë në tregjet financiare: sipas WSJ, rreth 15 minuta para njoftimit të Trumpit, janë mbyllur kontrata futures mbi naftën me vlerë mbi 760 milionë dollarë.
Po ashtu është raportuar se së fundmi tre llogari në Polymarket kanë fituar mbi 600 mijë dollarë duke parashikuar saktë kohën e armëpushimit.
WSJ thekson se këto operacione dhe baste të mëdha, të kryera në momentin e duhur dhe të lidhura me zhvillimet e konfliktit — përfshirë bastet fitimprurëse mbi kohën e armëpushimit — kanë tërhequr vëmendje dhe kanë ngritur shqetësime për përdorim të mundshëm të informacionit konfidencial.
Megjithëse nuk ka prova që zyrtarët kanë vepruar mbi bazën e informacioneve të brendshme, paralajmërimi i Shtëpisë së Bardhë është paraqitur si një kujtesë për rregullat etike në fuqi, të cilat ndalojnë punonjësit e shtetit të përdorin informacione sekrete për përfitime personale financiare.
Demokratët kanë kërkuar rregullim më të rreptë të tregjeve të parashikimeve, duke argumentuar se ato mund të nxisin rrjedhje informacioni ose t’u lejojnë individëve të përfitojnë nga vendime të ndjeshme të sigurisë kombëtare.


