Braçe kandidat për Tiranën? Avokat Ngjela: Nëse konfirmohet, tregon se është njeriu kryesor në PS

Erion Braçe, një nga emrat e rëndësishëm të Partisë Socialiste, ka shpallur ambicien për të qenë kandidat i saj për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Avokat Spartak Ngjela përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Studio Live’ tha se në qoftë se Braçe del në krye të bashkisë së Tiranës ai do t’i tregojë historisë dhe opinionit publik se është një një nga figurat kryesore në Partinë Socialiste.
“Braçe ka dalë vetë nuk është propozuar nga partia. Çdo parti mund të nxjerrë tre-katër kandidatë por vetëm një del. Nëse del Braçe kryetar bashkie do të kemi një ndryshim në Partinë Socialiste. Këtu kemi një konflikt midis Ramës dhe Braçes. Nëse Braçe del në krye të Bashkisë është një figurë thuajse e barabartë me kryetarin e Partisë. Me këtë ai i tregon kohës se është njeriu kryesor i PS”, tha Ngjela.
Ndër të tjera ai tha se shanset që Partia Demokratike të fitojë është që kryetari i kësaj partie të mos jetë Sali Berisha.
“PD ka vetëm një shans që mund të fitojë, të mos jetë kryetar Sali Berisha. Si mund të fitojë PD kur kryetari i tyre është shpallur non grata nga SHBA-të. Berisha duhet të japë dorëheqjen.
Nëse do të vazhdojë kështu PD do të qëndrojë gjithmonë në opozitë”, tha ai.
Sa i përket shqetësimeve që opozita ngriti një ditë më parë në seancën plenare për mungesën e transparencës dhe debatit parlamentar për procesin e integrimit europian Ngjela tha se PD i bën këto arsyetime për të bindur trupën e vet elektorale.
“Kur një defekt politik i një partie politike vijon gjatë është një sëmundje. Ata janë në sëmundje, që iu është imponuar nga mungesa jo e rregullt mendore në funksion të politikës rë Saliut. Ai është nën akuzë nga SPAKU dhe ka vajtur edhe në proces gjyqësor. Ne nuk po na japin fakte argumentuese që të dimë të arsyetojmë avokatët e Saliut, sepse flet vetëm Saliu. Por ai nuk është avokat por mjek. Kur të thuash që qeveria ka bërë shkelje duhen fakte. Ata i bëjnë për të bindur trupën e vet elektorale”, tha Ngjela.


