Stuhia Amy godet Britaninë e Madhe, kaos në transport dhe energji, një viktimë

Bota

Stuhia Amy godet Britaninë e Madhe, kaos në transport dhe energji,

Një burrë ka humbur jetën, si dhe një paralajmërim i ri për mot të keq është shpallur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Stuhia Amy vijon të shkaktojë përmbytje, ndërprerje energjie dhe dëme të mëdha infrastrukturore, raporton The Guardian.

Viktima është shënuar në Irlandë, teksa në veriun e kësaj të fundit kanë mbetur pa energji elektrike rreth 9 mijë shtëpi.

Paralajmërime dhe masa emergjente në gjithë Britaninë e Madhe

Met Office ka lëshuar një paralajmërim të verdhë për erë të fortë që mbulon të gjithë territorin e Mbretërisë së Bashkuar. Në Londër, të tetë parqet mbretërore, përfshirë Hyde Park dhe Richmond Park, u mbyllën të shtunën për shkak të rreziqeve nga erërat e fuqishme. Autoritetet njoftuan se hapja e tyre të dielën do të vonohet, pasi nevojiten inspektime sigurie.

Në Skoci, autoritetet presin që stuhia të shkaktojë probleme të reja gjatë të dielës, me erëra që mund të kalojnë 90 milje në orë në veri të vendit. Pjesa më e madhe e Skocisë ndodhet nën paralajmërim për reshje të dendura shiu, ndërsa i gjithë Britania mbetet nën alarm për erë të fortë.

Rekord i ri presioni atmosferik

Stuhia Amy ka thyer një rekord historik për presionin më të ulët atmosferik të regjistruar ndonjëherë në tetor në Britani.

Në Baltasound, Shetland, presioni qendror u mat në 947.9 hPa, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 950.9 hPa të vitit 1988.

Kaos në transport dhe energji

Në Glasgow, një ndërtesë u shemb të premten, duke rënë mbi një automjet dhe duke shkaktuar mbyllje rrugësh në qendër të qytetit. Në Highlands dhe në ishujt veriorë janë raportuar ndërprerje të shumta të energjisë elektrike.

Sipas Fraser Wilson nga Scottish and Southern Electricity Networks, rreth 62 mijë persona janë ende pa energji, ndërsa punimet për rikthimin e furnizimit do të zgjasin për shkak të dëmeve të rënda.

Rrugët kryesore janë mbyllur për qarkullimin, përfshirë Urin e Forth Road Bridge, ndërsa disa ura të tjera janë hapur me kufizime shpejtësie. Linjat e trenave dhe tragetet kanë pësuar ndërprerje të shumta, me ScotRail që paralajmëron “ndërprerje të konsiderueshme” në shërbim.

Network Rail deklaroi se “Stuhia Amy ka goditur shumë më fort dhe më shpejt se sa ishte parashikuar”, duke raportuar mbi 60 incidente vetëm në dy orët e para të stuhisë.

Parashikimi për ditët në vijim

Sipas parashikuesit të Met Office, Neil Armstrong, “Stuhia Amy do të ketë ndikim të madh në Skoci dhe Irlandën e Veriut, me erëra shkatërruese që mund të arrijnë deri në 100 milje në orë në disa zona.” Ai shtoi se reshjet e dendura mund të çojnë në përmbytje të reja në pjesën perëndimore të Skocisë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të kontrollojnë situatën përpara se të nisen.

Ndërkohë, stuhia pritet të vazhdojë të ndikojë veriun e Skocisë, Orkney dhe Ishujt Shetland deri të dielën në mëngjes.

ME TE LEXUARAT