Tragjedi në det, humbet kontakti me anijen me 240 persona në bord

Një operacion i madh kërkim-shpëtimi është vënë në lëvizje në Indonezi pas humbjes së kontaktit me anijen e pasagjerëve Virgo Transport 8, e cila dyshohet se kishte më shumë se 240 persona në bord.
Anija ishte nisur nga Surabaya, në Java Lindore, dhe gjatë udhëtimit u përball me kushte të këqija atmosferike. Komunikimi me të u ndërpre në orët e para të së dielës, ndërsa pozicioni i fundit i njohur ndodhet në Detin Java, rreth 80 milje detare nga skela e kërkim-shpëtimit Basirih në Banjarmasin.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ekipet indoneziane të kërkim-shpëtimit janë mobilizuar për gjetjen e anijes. Në operacion po merr pjesë edhe anija e shpëtimit KN SAR Laksmana 241, ndërsa janë dërguar forca dhe mjete të tjera në zonë.
Kushtet e motit po monitorohen nga afër, pasi dyshohet se moti i keq mund të ketë ndikuar në humbjen e komunikimit. Deri tani nuk ka të dhëna për viktima apo për gjendjen e personave në bord, ndërsa kërkimet vijojnë në Detin Java.


