Këpucët me kokainë! Kapja e 71-vjeçarit zbulon rrjetin kriminal në Athinë, sekuestrohen 340 mijë euro dhe ...

Kosovë&Rajon

Këpucët me kokainë! Kapja e 71-vjeçarit zbulon rrjetin

Një pako e dyshimtë me këpucë ka çuar policinë greke në zbulimin e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në Athinë.

Operacioni nisi pasi autoritetet morën informacion për një dërgesë droge. Në një stacion autobusësh në kryeqytetin grek u arrestua një 71-vjeçar, i cili po transportonte një palë këpucë ku ishin fshehur 20 gramë kokainë.

Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se droga ishte furnizuar nga një 58-vjeçar, i cili dyshohet se vepronte nën drejtimin e një personi që ndodhet aktualisht në burg. Gjatë operacionit u arrestua edhe një grua 52-vjeçare, e dyshuar se ndihmonte në ruajtjen dhe përgatitjen e lëndëve narkotike.

Kontrollet e kryera nga policia çuan në sekuestrimin e 10.5 kilogramëve heroinë, 2.2 kilogramëve kokainë, si dhe sasive të marijuanës dhe ekstazisë.

Autoritetet gjetën gjithashtu mijëra euro dhe valuta të huaja nga vende të ndryshme të botës, përfshirë monedha nga Azia, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine.

Sipas policisë greke, vlera totale e drogës dhe parave të sekuestruara gjatë operacionit arrin në rreth 340 mijë euro, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.

ME TE LEXUARAT