Kosova miraton pakon e 19-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë

Kosovë&Rajon

Kosova miraton pakon e 19-të të sanksioneve të BE-së

Kosova ka ndërmarrë masa ndëshkuese kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës, duke e miratuar pakon e 19-të me sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës.

Pakoja, e miratuar në një mbledhje të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti të premten në mëngjes, përfshin sanksione edhe kundër Bjellorusisë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kosova synon promovimin e paqes dhe lirisë, dhe se vendimi i Qeverisë kontribuon në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.

Kosova i ka miratuar të gjitha pakot paraprake të bllokut kundër Rusisë.

Çfarë përmban pakoja?

Pakoja e 19-të, e miratuar në tetor të vitit të kaluar, rrit ndjeshëm trysninë mbi ekonominë ruse të luftës, duke synuar sektorë kyç si energjia, financat, baza ushtarako-industriale, zonat e veçanta ekonomike, si dhe mbështetësit dhe përfituesit e luftës së saj agresive.

Një ndalim i plotë i Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG) rus dhe një goditje e mëtejshme ndaj flotës në “hije” përfaqësojnë sanksionet më të forta deri më tani ndaj sektorit jetik energjetik të Rusisë.

Ndalimi i LNG-së do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh, ndërsa kontratat afatgjata nga 1 janari 2027.

Masa të forta synojnë gjithashtu shërbimet financiare dhe infrastrukturën, duke përfshirë për herë të parë kriptovalutat, si dhe tregtinë.

Masat prekin gjithashtu sektorin e shërbimeve dhe forcojnë mjetet kundër anashkalimit të sanksioneve.

Me këtë paketë, numri i anijeve të listuara në flotën në “hije” të Rusisë arrin në gjithsej 557.

Kosova u rreshtua përkrah Perëndimit menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë Ukrainës në shkurt 2022, dhe prej atëherë i ka miratuar pakot e BE-së dhe SHBA-së kundër Moskës.

Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, ua mori jetën mbi 10.000 civilëve në Ukrainë.

Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare.

ME TE LEXUARAT