Kurti refuzon dekretin e Osmanit: Nuk flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese

Pak orë pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike për caktimin e zgjedhjeve të reja pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti po mban një konferencë për shtyp.
Ai tha se nuk e pranon dekretin e Presidentes Osmani, duke thënë se e pret Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk mund të flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese” tha ai, duke shtuar zgjedhjet do zgjasin agoninë institucionale.
“Falënderoj 66 deputetët e mazhorancës të cilët morën pjesë në seancën e Kuvendit dhe respektuan kushtetueshmërinë kur filloi procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës Mirëpo ky proces nuk arriti ta konsumojë as raundin e parë pasi munguan që të gjithë deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK dhe partia që vazhdon të dirigjohet nga Beogradi, Lista Serbe. Nevojiteshin së paku 80 deputetë pjesëmarrës në mënyrë që të plotësohet kuorumi. Të gjithë e kemi pa mbrëmë pamjen e seancës plenare të Kuvendit të Republikës, kush ishte, ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër, nuk ishte fare sepse nuk ishin. Asnjë deputet që nuk erdhi nuk njoftuan kryetaren Haxhiu për arsyen e mungesës, prandaj kjo lëndë tash është në Gjykatën Kushtetuese. Është obligim kushtetues i deputetëve që të kryejnë detyrën e tyre për çka i ka zgjedhur populli i Kosovës dhe të vijnë në vendin e tyre të punës në seanca plenare dhe aty të marrin pjesë e të votojnë. Dekreti për shpërndarjen e Kuvendi nuk është kushtetuese, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuar shprehimisht nga Kushtetuta. Kjo përbën edhe një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese. Le të presim me qetësi dhe durim, ndërkohë që qeverisim mbar e mirë si gjithnjë” tha ai./Shqiptarja


