Kurti refuzon protestën e veteranëve të UÇK-së në Tiranë, mesazh Ramës: Erdhe me helikopter të bindje palët të votonin Gjykatën Speciale

Kosovë&Rajon

Kurti refuzon protestën e veteranëve të UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sulmuar kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, lidhur me protestën e thirrur në Tiranë më 17 tetor për lirimin e liderëve të UÇK-së, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

Në një postim në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosjes theksohet se “ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj”.

Sipas tij shembulli konkret është kryeministri Edi Rama ku nënvizon se kreu i qeverisë ka shkuar në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter “për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”.

VV kritikon gjithashtu qeverinë teksa thonë se institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.

Në vitin 2022 Shqipëria ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë për rishikim të Rezolutës së vitit 2011 të Këshillit të Evropës, mbi të cilën u ngritën akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK për trafik organesh të qenieve njerëzore në kohën e luftës.

“Sipas rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, më 21 korrik, 2022, pretendimet e bëra në Raportin Dick Marty për vrasjen e njerëzve për qëllimin e mbledhjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe tregtimin e paligjshëm të organet e njeriut në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat janë renditur në paragrafët 1 dhe 4 të Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1782 (2011), pas më shumë se dhjetë vitesh thellësie hetimet nga Forca Speciale Hetuese e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbeten të pagjetur për të paprovuar dhe nuk bazohet në prova dhe fakte dhe prandaj duhet parë si i tillë nga të gjithë institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksohet në shënimin në gjuhën shqipe dhe në anglisht.

Sheshi Skënderbej do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta do të zhvillohet nga organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Mbështetje të gjerë gjen kjo protestë nga qeveria shqiptare, ku mes tyre do të jetë kryeministri Edi Rama, kreu i grupit socialist Taulant Balla, ministra e deputetë.

Ndonëse organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i kërkoi edhe Partisë Demokratike t’i bashkohet në protestë, nga selia blu përgjigja është negative. Në një reagim për gazetaren Danjela Maloku, PD tha një ditë më parë se arsyeja pse nuk do të marrë pjesë është prania e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, sipas demokratëve, është autor i një sërë goditjesh ndaj Kosovës.

Postimi i plotë:

Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.

Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, por që u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Në anën tjetër, pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës.

Mirëpo, për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.

Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë.

Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.

Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin.

ME TE LEXUARAT