Numërimi i votave në Kosovë drejt fundit, cilët janë kryesuesit që priten të ulen në karriget e deputetëve

Kosovë&Rajon

Numërimi i votave në Kosovë drejt fundit, cilët janë

Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit po hyn në fazën përmbyllëse, ndërsa më pak se 6% e vendvotimeve mbeten ende pa u numëruar. Me avancimin e procesit, janë bërë tashmë të ditur edhe emrat e kandidatëve që kanë marrë më së shumti vota brenda subjekteve politike.

Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje kryeson zgjedhjet si forca më e votuar, duke kaluar shifrën e 400 mijë votave në nivel vendi. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, rezulton më i votuari me mbi 331 mijë vota. Pas tij vijnë Glauk Konjufca me mbi 256 mijë vota, ndërsa Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati kanë siguruar secili mbi 134 mijë vota. Në listën e më të votuarve renditet edhe Donika Gërvalla me mbi 120 mijë vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Në PDK, më i votuari është kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, me mbi 146 mijë vota. Pas tij renditet Arian Tahiri, ndërsa në pesëshen e parë përfshihen edhe Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari, secili me mbi 43 mijë vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Te LDK-ja, kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku kryeson listën me mbi 76 mijë vota. Pas tij vijnë Hykmete Bajrami, ndërsa Ukë Rugova, Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili kompletojnë listën e kandidatëve më të votuar.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Në AAK, e cila ka siguruar gjashtë mandate në Kuvend, më i votuari është kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj me mbi 39 mijë vota. Pas tij renditen Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Agim Çeku.

Ndërkohë, ka nisur edhe numërimi i votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit. Sipas njoftimeve zyrtare, procesi i plotë i numërimit pritet të përfundojë deri të dielën, më 4 janar.

ME TE LEXUARAT