Osmanit i përfundoi mandati/ Mbahet ceremonia, detyra e presidentes i kalon kryeparlamentares Albulena Haxhiu

Kosovë&Rajon

Osmanit i përfundoi mandati/ Mbahet ceremonia, detyra e presidentes i kalon

Zyrtarisht, detyra e Presidentit të Kosovës i ka kaluar kryeparlamentares Albulena Haxhiu, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi sot mandati.

Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës u mbajt në Kabinetin e Presidentes sot në orën 16:00. Gjatë ceremonisë, Haxhiu i dhuroi lule Osmanit.

Në një postim në Facebook, Osmani theksoi se ky nuk kishte qenë vetëm rrugëtimi i saj. “Këto pesë vite nuk ishin historia e një njeriu të vetëm. Kanë qenë rrugëtimi ynë i përbashkët. Me njerëz nga çdo fushë, që besuan te Kosova. Që punuan, kontribuuan dhe shtynë përpara ide e mundësi për qytetarët tanë. Faleminderit që qëndruat me ne e për Kosovën tonë të përjetshme”, ka shkruar ajo.

Osmani, e cila mori detyrën me mbështetjen e Vetëvendosjes, nuk arriti të sigurojë një mandat të dytë, pavarësisht se e kishte shprehur publikisht dëshirën për të vazhduar qëndrimin në këtë post.

Çështja e zgjedhjes së presidentit ka qenë në qendër të diskutimeve politike që nga zgjedhjet e fundvitit të kaluar. Megjithatë, deri më tani, ajo mbetet e pazgjidhur. Deputetët kanë afat deri në fund të këtij muaji për të zgjedhur kreun e ri të shtetit; në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të reja, siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Ngërçi lidhet kryesisht me mungesën e numrave të mjaftueshëm për kandidatë. Vetëvendosja, pas dy propozimeve të saj, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, nuk ka deputetët e nevojshëm për të kaluar procesin e zgjedhjes.

Opozita, nga ana tjetër, ka kërkuar një kandidat konsensual dhe ka refuzuar të votojë kandidatët e VV-së. Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar në ditët në vijim takime me liderët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

ME TE LEXUARAT