Rrëzoi Osmanin, Kushtetuesja: 34 ditë afat deputetëve për zgjedhjen e presidentit

Kosovë&Rajon

Rrëzoi Osmanin, Kushtetuesja: 34 ditë afat deputetëve për

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë edhe 34 ditë afat deputetëve të Kuvendit të Republikës nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit.

Kushtetuesja njëzëri sot ka vendosur të deklarojë të pranueshme kërkesat e bashkuara në rastet e parashtruara nga kryeministri,  Albin Kurti, në emër të Qeverisë dhe kërkesës së parashtruar nga  Arbërie Nagavci dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës.

Gjykata ka konstatuar se dekreti i presidentes që mban datën 6 mars nuk prodhon asnjë efekt juridik.

“Të konstatojë që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Por, nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kreun e shtetit brenda këtij afati, Kushtetuesja thotë se Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

“Të konstatojë se në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja konstaton se që vendimi për vendosjen e masës së përkohshme, i 9 marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi.

Kushtetuesja ka konstatuar në fund se Akgjykimi hyn në fuqi menjëherë.

ME TE LEXUARAT