Shpalli “non grata” ministren serbe pas deklaratës skandaloze, Sveçla: Ishte kërcënim! Duhet ta bëjë dhe Shqipëria

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka folur sot në “Shqipëria Live”, në lidhje me vendimi ne marrë prej tij për të shpallur “non grata” ministren serbe Snezhana Paunoviçin. Vendimi erdhi pasi Paunoviç deklaroi se, “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviç, do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998”.
Sveçla u shpreh se në deklaratën e ministres serbe kishte kërcënim për Kosovën, duke iu referuar fjalisë së Serbia po pret vetëm largimin e KFOR-it për të vepruar në Kosovë. Ai tha se masa të ngjashme do të merren për këdo që cënon sigurinë dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Më tej, ministri deklaroi se pret që edhe Shqipëria të marrë një vendim të ngjashëm.
“Nuk ishte befasi sepse nuk është hera e parë që dëgjojmë deklarata të tilla. Ne të gjithë jemi dëshmitarë, disa e kanë vuajtur, represionin dhe dhunën, masakrat që Serbia ka bërë ndaj Shqiptarëve deri në vitin 1999. Një lloj represioni vijon ta bëjë në Luginën e Preshevës. Por nuk është më Kosova e viteve 90 dhe 2000. Tani kemi një Kosovë që kontrollon territorin e saj dhe ka mundësinë të marrë vendime të tilla, që kjo ministre të shpallet ‘non grata’ përgjithmonë dhe t’i ndalohet hyrja në territorin e Kosovës. Është kërcënim kur ajo tha që po presim të largohet KFOR-i nga Kosova. Nuk është kërcënim vetëm i saj, por edhe i liderëve të Serbisë. Vuçiç ka thënë po presim ndërrimet globale që të veprojmë. Me këtë deklaratë jo vetëm ka nxitur urrejtje por ka cënuar edhe sovranitetin e Kosovës. Do vijojmë të marrim masa të ngjashme për këdo që cënon integritetin e Republikës së Kosovës. Kosova është shtet i pavarur, i aftë të mbrojë veten por që ka dhe synime të tjera, jo vetëm të mbrojë veten nga Serbia. Serbia udhët të ndëshkohet me sanksione nga Bashkimi Europian sepse deri tani po tregohet e butë. BE-ja po mundohet të ruajë stabilitetin afatshkurtër. Megjithatë duhen marrë masa të ashpra sepse Serbia nuk ka ndryshuar. Nëse mendojnë se me masa të leha po mbajnë Serbinë larg Rusisë, gabohen. Serbia vijon të jetë qendra e destabilitetit në rajon. Një masë të ngjashme ne e presim dhe nga Shqipëria sepse mendoj që ka ardhur koha. Por vlen të theksohet se kjo ministre ka qenë pjesë e delegacioneve gjatë takimeve mes qeverisë shqiptare dhe asaj serbe në kuadër të ‘Ballkanit të hapur’. Unë nuk mund të flas për rasti ne Ikballe Haduti por dua të besoj që autoritetet shqiptare kanë dyshime dhe informacione për lidhjet e saj me Iranin, që nuk i do të mirën as Shqipërisë e as Kosovës. Megjithatë, rasti i ministres serbe është konkret, ka prova me zë dhe figurë, prandaj duhet një reagim konkret. Kjo deklaratë ndodhi në ditën e masakrës së Serbrenicës. Një nga më të rëndat që nga Lufta e Dytë Botërore. Po ashtu, shumë shqiptarë e kanë vuajtur këtë dhunë. Prandaj këto dy raste nuk mund të paralelizohen.”– tha ai.


