Treni përplaset me makinën në Fushë Kosovë/ Lëndohen 3 persona, mes tyre një i mitur

Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 13:50 në fshatin Grabovc i Poshtëm të Fushë Kosovës, ku janë përfshirë një tren dhe një automjet.
Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tre persona kanë pësuar lëndime trupore.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë arritur të nxjerrin nga automjeti një fëmijë të moshës 7–8 vjeç, si dhe drejtuesin e veturës.
Një dëshmitar i rastit, Bledar Hajdari, ka dërguar pamje nga vendi i ngjarjes, duke deklaruar se automjeti kishte tentuar të frenonte, por për shkak të akullit në rrugë nuk ka arritur të ndalojë. Sipas tij, dy të lënduarit janë rreth moshës 35-vjeçare, ndërsa fëmija është nxjerrë nga automjeti nga pjesëtarët e FSK-së.
Personi i tretë, i cili ka pësuar lëndime më të rënda trupore, është nxjerrë pas mbërritjes së ndihmës së shpejtë. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetë.


