Tubimi për gjuhën shqipe në RMV, organizatori: Studentët nga Tirana po dërgohen me dhunë në Kumanovë

Teksa mijëra studentë shqiptarë janë mbledhur sot në Shkup, në një protestë masive për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave të tyre në Maqedoninë e Veriut organizatori Mevlan Ademi në fjalën e tij para protestuesve, deklaroi se studentët nga Tirana po dërgohen me dhunë në Kumanovë, ndërsa të tjerë po përballen me provokime dhe presione gjatë organizimit.
“Studentët shqiptarë nga Tirana po dërgohen me dhunë në Kumanovë, ndërkohë që protesta po mbahet në Shkup. Ne po dalim të protestojmë në mënyrë paqësore, por po provokohemi gjatë rrugës. Polici, edhe ju duhet të na mbroni”, u shpreh ai.
Gjatë protestës u raportua edhe për arrestimin e tre studentëve, çka shkaktoi reagime te pjesëmarrësit.
“Sapo mora lajmin që tre studentë janë arrestuar. A është normale kjo, o ej? Herën e fundit u ankuan për flamurin shqiptar. Ju lutem, sot ta ngrini sa më lart flamurin shqiptar. Studentët shqiptarë nga Tirana po dërgohen me dhunë në Kumanovë, ndërkohë që protesta po mbahet në Shkup. Ne po dalim të protestojmë në mënyrë paqësore, por po provokohemi gjatë rrugës. Polici, edhe ju duhet të na mbroni.
Të dashur prindër, vëllezër e motra, studentë e kolegë, nga Kumanova e trimave, nga çdo vend ku ka rreze arsimi, ku këndohen këngët e Naimit, që nga Struga e deri në Tetovë. Të gjithë shqiptarët, të bashkuar sot në Shkupin tonë të madh e krenar, së bashku, shqiptarë, bijtë e shqiponjës, në një kauzë të pandarë, në këtë shesh i themi botës: “Përjetësisht jemi krenarë”. Sapo mora lajmin që tre studentë janë arrestuar. A është normale kjo, o ej?! Sot nuk kam ardhur t’u flas atyre, por të flas me ju, sepse zëri ynë shqiptar është zë që nuk është thyer në shekuj. Është zëri i këtyre maleve, i këtyre lumenjve, i gjuhës që na ka folur nana brez pas brezi, dhe sot ky zë kërkon vetëm një gjë: të drejtën për të folur shqip në tokën e tij.
A ka kërkesë më të drejtë se kjo? Foshnja kërkon qumështin, lumi kërkon shtratin dhe ne, shqiptarët në këtë tokë, ku kemi varrosur të parët tanë, kërkojmë gjuhën tonë, amanetin tonë. Ky nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese e këtij vendi, e fituar me Marrëveshjen e Ohrit, e drejtë që nuk varet nga humori i një ministri apo i një politike. Kjo është një e drejtë që lind me ne, sepse ne kemi lindur këtu. Dhe sa kohë duhet që një student shqiptar t’i japë provimet në gjuhën e tij?”, u shpreh organizatori Mevlan Ademi.


