“Grupet iraniane mund të sulmojnë kudo”, Berisha i bën thirrje NATO-s: Forconi mbrojtjen tonë ajrore

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje NATO-s që të forcojë mbrojtjen ajrore në vendin tonë. Thirrja vjen një ditë pas mesazhit të ambasadës amerikane, e cila i kërkoi shtetasve amerikanë në Shqiëpri të jenë të kujdesshëm pasi grupet iraniane mund të godasin hotele, qendra biznesi dhe restorante në Shqipëri të lidhura me SHBA dhe grupi opozitar MEK.
Berisha: Paralajmërimi i ambasadës së SHBA nuk është pa bazë! I bëj thirrje NATO-s të forcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë.
Kreu i PD-së tha se njoftimi i ambasadës nuk është pa bazë. Ai bëri thirrje që Aleanca e Atlantikut të Veriut të garantojë mbrojtjen kundërajrore të vendit, ndërsa forcat e rendit duhet të sigurojnë rendin dhe qetësinë në territor.
Berisha: A është Shqipëria në një armiqësi me Iranin, kjo nuk diskutohet, nuk fshihet. Tani cili është qëndrimi ynë? Unë i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, ashtu siç po mbron Turqinë, të na garantojë mbrojtjen kundërajrore nga aktet e tyre. Kurse për aktet e brendshme, duhet që forcat e rendit të garantojnë rendin dhe qetësinë. Këtu është gjëja më e domosdoshme. Nuk lëshohet një paralajmërim pa një bazë. Kjo është e sigurt.
A ka Shqipëria mbrojtje nga NATO? Po, çdo vend i NATO-s, hapësira ajrore e Shqipërisë është hapësirë e NATO-s dhe të sigurt jemi se NATO do na mbrojë. Kjo nuk do thotë se NATO do na mbrojë në tokë, këtu duhet të jenë shqiptarët vetë që të kenë vëmendje.
Ditën e djeshme, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ngriti alarmin se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë objektiva të caktuara në Shqipëri. Ambasada amerikane tha në rrjetet sociale se në shënjestër mund të jenë subjekte të lidhura me SHBA-të ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.


