“Pushtetin e kishin të fortët e politikës”, Rama: Pas 100 vitesh i dorëzuam shpatën drejtësisë

Gjatë fjalës së mbajtur në sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë, Rama kujtoi periudhën kur qeveria ndërmori reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut për gjyqtarët e prokurorët.
Kryeministri theksoi se në vitin 2013 mazhoranca ndërmori një hap që, sipas tij, askush nuk kishte guxuar më parë, në 100 vite në Shqipëri, krijimin e kushteve për një pushtet të drejtësisë realisht të pavarur nga politika.
“Duke hedhur disa mendime për këtë fjalë, që e pashë të udhës ta ndaj si një moment reflektimi me ju, mu kujtua kur ne bëmë një anketim publik për vettingun, në kohën kur konceptonim dhe çonim përpara reformën në drejtësi.
Dihet që vettingu ishte një pikë kyçe, tek e cila ishim ne që besuam të parët dhe pastaj bëmë të gjitha përpjekjet që ata, të cilët sot e përshëndesin vettingun si një moment kthese, ta besonin siç e besonim ne.
Në atë anketim publik, që bëmë për të matur pulsin e opinionit publik shqiptar, morëm dy të dhëna shumë domethënëse, kontradiktore. 90 e kusur % e shqiptarëve mbështesnin fuqimisht vettingun e gjykatësve dhe prokurorëve, dhe ju e dini shumë mirë që të bësh kaq shqiptarë bashkë është diçka e rrallë.
Tjetra ishte përgjigjja mbi pyetjen: “A besoni ju që, në jetën tuaj në Shqipëri, do të shihni fundin e pandëshkueshmërisë dhe barazinë e njerëzve para ligjit?”. Mbi 80% ishin mosbesues.
Për hir të së vërtetës, askush nuk mund t’u vërë faj të gjithë atyre që ishin mosbesues, pasi nuk ishte thjesht e përditshmja e tyre që ua provonte prej vitesh se drejtësia ishte një iluzion, por ishte historia e shtetit shqiptar që prej 1912-s provonte se pushteti i drejtësisë ishte në duart e më të fuqishmëve të politikës.
Demokraci, monarki, diktaturë, pastaj liri me nuanca demokracie. Një gjë ishte e pandryshuar: shpata e zonjës së drejtësisë, që është e pandarë në çdo statujë të vogël apo të madhe, ishte e palëvizur në zyrën e të parit të qeverisë.
Në vitin 2013 ne bëmë atë që s’kishte guxuar askush më parë, as nuk i kishte hyrë me imagjinatë atij deti që ne i hymë në këmbë, duke vendosur diçka dramatike për njerëz që përfaqësojnë një pushtet politik: të dorëzojmë shpatën te një forcë tjetër dhe të krijojmë kushtet që, në këtë hapësirë, të krijohet një pushtet tjetër real dhe i pavarur nga pushteti politik, u shpreh Rama


