Rama i pranishëm në Kuvend në diskutimin e pagave të magjistratëve

Kryeministri Edi Rama është paraqitur në seancën plenare të Kuvendit, ku po zhvillohet diskutimi mbi projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste për indeksimin e pagave të magjistratëve.
Rama mbërriti në parlament menjëherë pas kthimit nga vizita e tij në shtetin monastik të Athosit në Greqi, ku kaloi natën në Manastirin e Vatopedhit së bashku me të birin, Greg Rama.
Projektligji i mazhorancës parashikon një rritje me rreth 8 500 lekë të pagës referuese, formulë kjo që bie në kundërshtim me pretendimet e sistemit të drejtësisë.
Magjistratët kërkojnë një rritje rreth 9 herë më të lartë, propozim ky që ka marrë më parë edhe miratimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë Prokurorial (KLP).
Nisma ligjore ka ndeshur në kundërshtimin e prerë të opozitës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi projektligjin si një “puç kushtetues” dhe konfirmoi se deputetët demokratë do të votojnë kundër tij.
Opozita kërkoi zyrtarisht tërheqjen e draftit për të zhvilluar konsultime të mëtejshme me institucionet e drejtësisë, mirëpo kjo kërkesë u rrëzua nga mazhoranca me 79 vota kundër.



