Rama në Elbasan: Kemi shumicën e mediave kundër, por ju nuk duhet të humbni motivimin

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të diel një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Elbasan, në kuadër të turit politik “Punët e Shqipërisë”.
Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit socialistë, Rama hodhi poshtë pretendimet për kontroll të mediave nga qeveria, duke deklaruar se shumica e portaleve në vend janë kritike ndaj mazhorancës.
Sipas tij, në hapësirën publike qarkullojnë vazhdimisht sulme, akuza dhe lajme të pavërteta të nxitura nga faktorë politikë dhe mediatikë.
“Ka një shpërndarje marramendëse të gënjeshtrave, gjysmë të vërtetave dhe akuzave”, u shpreh Rama gjatë takimit në Elbasan.
Kryesocialisti u kërkoi anëtarëve të PS-së që të mos ndikohen nga klima politike dhe të qëndrojnë pranë qytetarëve, duke diskutuar më shumë për sfidat dhe objektivat e vendit.
Ai deklaroi se opozita nuk përbën alternativë dhe paralajmëroi se negativiteti i krijuar në debatet publike mund të ndikojë në proceset e rëndësishme për vendin.
Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria ndodhet në momentin më të afërt historik me anëtarësimin në Bashkimin Euroian.
Sipas tij, vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për përmbylljen e negociatave, ndërsa sfida kryesore mbetet përafrimi i standardeve shtetërore shqiptare me ato të Bashkimit Europian.
“Nuk kemi qenë asnjëherë më afër kësaj ëndrre historike. Tani na presin hapat më të vështirë për të harmonizuar shtetin dhe standardet tona me BE-në”, deklaroi Rama.


