Rama zbardh diskutimet nga takimi me ministrat dhe drejtuesit politikë: Sezoni i ri politik dhe “Pasqyrë Albania”

Kryeministri Edi Rama ka zbardhur detaje nga mbledhja e zhvilluar me ministrat dhe drejtuesit politikë këtë të premte në Vilën e Kuqe, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook.
Kreu i qeverisë ka bërë me dije se fokusi i punës ka qenë detajimi i programit për sezonin e ri politik, ku përfshihen kalendarizimi i pranisë në terren, ndërveprimi mes qeverisë e deputetëve, si dhe ndryshimet ligjore për platformën PasqyrAlbania.
Teksa njoftoi edhe mbajtjen e një Konference Kombëtare në muajin nëntor lidhur me nismën “Shqipëria Sociale”, Rama shkruan:
“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur nga kalendarizimi i Pranisë Besnike në çdo territor, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri deputetë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore e vendore, si edhe hartimi i ndryshimeve ligjore për PasqyrAlbania.
Po ashtu u diskutua progresi i bërë me hartimin e nismës së integruar Shqipëria Sociale, të cilës do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare në muajin nëntor”, ka shkruar Rama.


