Alergjitë e stinës nuk shkaktohen nga poleni, ato kanë një shkak madhor! Këshilla nga Altin Joka

Pranvera dhe vjeshta janë stinët kur natyra zgjohet dhe ndryshon ritmin e saj, por për shumë njerëz janë edhe stinët e teshtimave pa fund, syve të skuqur dhe hundës së bllokuar. Alergjitë sezonale duket se po shtohen çdo vit dhe gjithnjë e më shumë njerëz ankohen për simptoma që dikur nuk i kishin. Por pse ndodh kjo? A është vetëm poleni shkaku kryesor, apo sistemi ynë imunitar është bërë më i ndjeshëm për shkak të stilit të jetesës, ushqimit dhe mjedisit ku jetojmë?
Alergjitë e stinës kanë një shkak madhor dhe nuk është poleni. Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, ka shpjeguar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, sesi formohen alergjitë, të cilat sipas tij lidhen ngushtë me nivelet e histaminës në trupin tonë.
“Në aspektin naturopatik alergjia është kombinim i një ngarkese të toksinave. Mëlçia fillon të detoksifikohet sepse neutralizon histaminën. Terreni biologjik është shkaku kryesor, jo poleni. Sistemi imunitar është i rëndësishëm, pasi kur histamina nuk është në normalitet sjell probleme me sistemin imunitar, trupi sillet sikur po sulmohet. Alergjia lind nga dy faktorë: ndjeshmëria e brendshme e organizmit dhe agjentët e jashtëm”, shpjegoi Joka.
Nutricionisti tha se nëse forcohet sistemi imunitar alergjitë largohen.
“Histamina prodhohet në zorrë, kur ajo prodhohet shumë fillojnë probleme. Një faktor tjetër është hormoni i tiroides, metalet e rënda që merren nga uji, problemi i jodit dhe selenit, elementët që marrim nga produktet kozmetike dhe aktivizojnë histaminën”, u shpreh Joka.
Shkaku i alergjive, rëndësia e boshtit zorrë-imunitet
Sistemi imunitar ndodhet 80% në zorrë. Çdo individ ka mikrobiomë të veçantë. Në 2024 u mblodhën 17 studime në 2 mijë persona dhe u pa që gjendja e zorrës ndikonte jashtëzakonisht shumë në imunitetin tonë. Personat që rritën baktere të ndryshme që lidhen me problemet antiinflamatore, zhdukën alergjitë.
“Mikrobioma është baza e sistemit imunitar. Boshti zorrë - imunitet lidhet shumë me alergjitë. Ato fillojnë në zorrë, nuk nisin nga poleni. Ndërsa ushqimi është orkestra që dirigjon reagimet e trupit”.
Ushqime që na ndihmojnë për të eleminuar alergjitë
Ushqimet më të këqia janë djathrat e stazhonuara, mishrat e stazhonuara, sheqeri, ushqimet industriale, pijet e gazuara. Ndërsa ushqimet e pasura me kuarcentinë janë më të mirat. Astragalusi, manaferrat, shega, ananasi, agrumet, specat, majdanozi, vaji i lirit, vaji i ullirit, hudhra, asparagu, lakra e kuqe, lakra jeshile, ushqime me fibra, frutat. Të gjitha këto sjellin më pak histaminë e si rrjedhojë nuk ka disbalancë në mikrobiomë për të na sjellë shqetësime me hundët, teshtimat e vazhdueshme, etj. Duhet të merrni vitaminën C, D, magnezin, zinkun, kuercentinë që e merrni tek qepa, tek brokoli si dhe konsumoni kërpudhat medicinale dhe spirulinë.
Nutricionisti Altin Joka ka një thirrje për të gjithë ata persona që përdorin antihistamikë.
“Antihistamikët bllokojnë receptorët e histaminës, duhet parë shkaku jo bllokimi. Mund të keni probleme në tiroiden, me kapsllëkun, keni fryrje, gazra, kjo sjell lodhje, përgjumje, kompromonton sistemin imunitar, mund të dëmtojë mikrobiomën në gojë dhe në stomak. Duhet shkuar tek shkaku, pastroni mikrobiomën e zorrës dhe mëlçinë”, u shpreh Joka./Shqiptarja


