"E nisa në ekipin e çunave"/ Futbollistja Klleci rrëfen fillimet e saja në futboll dhe ngjitjen drejt kombëtares së vajzave

Në studion e emisionit “Ora Sport”, e ftuar është futbollistja e re Andrea Klleci, e cila rrëfen fillimet e saj të pazakonta në futboll dhe ngjitjen e shpejtë në ekipet kombëtare të vajzave.
Andrea tregon se futbollin e nisi te klubet e djemve, thjesht për hobi, por pasioni u rrit dhe e shtyu të stërvitej çdo ditë.
Kalimi te kampionati i femrave ishte momenti kyç, ku talenti i saj ra në sy të trajnerëve të kombëtares, duke nisur nga U-15 dhe duke kaluar më pas në U-16 dhe U-17. Objektivi i radhës është ekipi U-19.
“Në fillim kur e nisa, u futa te një klub çunash, afër shtëpisë. Aty nga hobi kaloi në një pasion dhe doja të shkoja përditë. Pastaj kur kalova te kampionati i femrave, aty më panë trajnerët e kombëtares dhe më thirrën në U15. Më pas kalova nga grupmoshat U15, U16, U17 dhe tash pres të shkoj në U19.”-tha ajo.
Andrea thekson se pasioni për futbollin është krejt individual, pa trashëgimi familjare, dhe ajo ndihet e vendosur për të ndjekur këtë sport në të ardhmen.
“Jo, futbolli është diçka që e kam nisur vetë, individuale. E shoh veten shumë të angazhuar dhe mendoj se mund të zgjasë gjatë.”- shtoi Klleci.
Aktualisht, ajo stërvitet intensivisht me ekipin e saj, duke përgatitur ndeshjet e ardhshme, përfshirë sfidën ndaj Dinamos, me synim rezultate pozitive./ORA


