Kombëtarja shqiptare ngjitet pesë pozicione në renditjen e re të FIFA-s, Kosova fiton shtatë vende
Kombëtarja shqiptare e futbollit është ngjitur me pesë pozicione në renditjen e re të FIFA-s, e publikuar sot.
Pas sukseseve të muajit tetor ndaj Serbisë në Leskovac dhe Jordanisë në “Air Albania”, Shqipëria tani ndodhet në vendin e 61-të në botë.
Kuqezinjtë do të rikthehen në fushë në muajin nëntor për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ndaj Andorrës dhe Anglisë. Shqipëria ndodhet aktualisht në vendin e dytë në Grupin K, pozicion që e çon në play-off e Botërorit 2026.
Jo vetëm Shqipëria, edhe Kosova ka një rritje të ndjeshme në renditjen mujore të FIFA-s. “Dardanët” morën 4 pikë në 2 takimet e fundit, kundër Sllovenisë dhe Suedisë. Ekipi i drejtuar nga Franco Foda ka fituar shtatë pozicione duke u renditur në vendin e 84-t.