A do lejojë Shqipëria që SHBA-ja të përdorë bazën ushtarake të Kuçovës për operacione kundër Iranit?

Shqipëria i ka hapur rrugë prodhimit të dronëve luftarakë dhe mjeteve lundruese ushtarake, përmes një vendimi të Qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha pas mbledhjes të Qeverisë shqiptare se “është autorizuar shoqëria shtetërore, Kayo, për të lidhur marrëveshje për prodhimin dhe tregtimin e dronëve luftarakë dhe mjeteve lundruese ushtarake dhe civile në Shqipëri”.
Vendimi i Qeverisë shqiptare lidhet me miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore, Kayo, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, me shoqëri private për krijimin e një shoqërie të përbashkët për prodhimin, montimin, riparimin dhe tregtimin e mjeteve fluturuese pa pilot e po ashtu edhe ndërtimin e riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile.
Ministri Nufi tha se dy kompanitë ndërkombëtare do të jenë italiane.
“Ky është një hap historik, pasi është hera e parë pas shumë vitesh që krijohen kushtet për prodhimin e mjeteve të tilla në vend. Vendimi është diskutuar edhe në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë shqiptare me atë italiane”, theksoi ai.
A do të lejojë Shqipëria që SHBA-ja të përdorë bazën ushtarake të Kuçovës?
Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria do të lejojë përdorimin e bazës ushtarake të Kuçovës nga Shtetet e Bashkuara për operacione kundër Iranit, Nufi u shpreh:
“Mbetet për t’u vlerësuar në momentin që një kërkesë e tillë do të vijë. Kemi marrëdhënie strategjike me SHBA-në, që shkojnë përtej angazhimit tonë në NATO. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s dhe besoj se gjithë vendimmarrja lidhet me angazhimin e Shqipërisë në aleancë”.
Shqipëria ka mbështetur operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Izraelit kundër Iranit, që ka nisur më 28 shkurt. Që prej vitit 2022, Tirana ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin. Shqipëria e ka akuzuar Iranin për kryerjen e një serie sulmesh shkatërruese kibernetike ndaj saj që nga viti 2022, të cilat kishin në shënjestër infrastrukturën digjitale shtetërore dhe shërbimet publike, dhe çuan në ndërprerjen e raporteve.
Pas nisjes së konfliktit, Shqipëria po ashtu u përball me disa sulme kibernetike, të kryera nga hakerët e lidhur me Iranin. Raportet mes Tiranës dhe Teheranit janë të tensionuara po ashtu edhe për shkak se Shqipëria mbi një dekadë më parë u ofroi strehë të sigurt anëtarëve të grupit opozitar iranian, MEK (që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit)./REL


