Aksioni te Bankers/ CEO kinez dhe ish-drejtori mbërrijnë në Gjykatën e Fierit
Në Gjykatën e Fierit po mbahet seanca për të arrestuarit në kuadër të aksionit të zhvilluar në zyrat e kompanisë “Bankers”. Në gjykatë kanë mbërritur CEO kinez, Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobe për verifikimin e masës arrest me burg.
Pritet që para gjyqtares Gladiola Bregu, ata do të japin edhe dëshminë e tyre.
Me vendim të Gjykatës së Fierit u lëshuan 14 urdhër arreste, 9 prej tyre të ekzekutuar dhe 5 kinezë ende në kërkim. Prokuroria e Fierit ngriti 5 akuza në total, "Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në", "Fshehje e të ardhurave", "Pastrim i produkteve të veprës penale", "Shpërdorim detyre" dhe "Moskryerje e detyrave nga organet tatimore", duke argumentuar se ka grumbulluar prova të mjaftueshme.
Aksioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend.
“Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.