Gara për 6 shefa komisariatesh, kryeson zv.drejtori i Tiranës! Po ja kush është e vetmja grua në listën fituese
Është mbyllur faza përfundimtare për punonjësit e policisë që garuan për 6 vendet vakante për shefa të komisariateve. Fillimisht, aplikuan 50 oficerë policie me gradat "nënkomisar", "komisar" dhe "kryekomisar", të cilët synonin të zinin një nga postet në Komisariatin nr. 2 në Tiranë, Rinas, Himarë, Cërrik, Komisariatin e Kufirit Dibër dhe Komisariatin e Kufirit Sarandë.
Pas fazës paraprake për verifikimin e dokumentacionit, komisioni kualifikoi 46 prej tyre. Por, në fazën intervistuese morën pjesë 42 garues, pasi 4 punonjës policie u tërhoqën nga gara. Tashmë, në përfundim të procesit, kufiri minimal kualifikues për të marrë një emërim të mundshëm, duhej të ishte 70 pikë. Në këto kushte, nga 42 garues në total, vetëm 17 prej tyre kaluar pragun prej 70 pikësh.
Listën fituese e kryeson zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Idris Daulle, me 74 pikë. Pasohet nga Përparim Dema, shef aktual në Komisariatin e Rinasit. Kjo është hera e parë që shefi i Komisariatit të Rinasit zgjidhet me garë, pasi gara për këtë post në fund të vitit të kaluar ku u zgjodhën me konkurs të gjithë shefat e rinj nuk u hap.
Në listën fituese nuk mungojnë as emra të tjerë që më herët kanë qenë shefa komisariatesh, si Oltion Agolli e Bledar Rreshka, apo edhe shefi i krimeve në Komisariatin nr. 2, Ermal Kenaçi. Në listë është e vetmja grua që garon për shef komisariati, Edjona Dano, aktualisht Shefe Seksioni për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve, në Policinë e Tiranës.
Dano u kualifikua fituese mes 290 garuesve që synonin në fund të vitit të kaluar për të qenë shefa komisariatesh. Ndërsa më herët ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr.6 Tiranë.
Pas shpalljes së pikëve, kandidatët kanë në dispozicion 5 ditë për të ankimuar pikëzimet e marra. Tashmë është në duart e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda që nga 17 garuesit fituar, vetëm 6 prej tyre të emërohen në postin e shefit të komisariatit./a2cnn