Akuzohej për shkelje me tenderat/ Apeli i GJKKO shpall të pafajshme ish-drejtoreshën e ARRSH-së Sonila Qato

Ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, është shpallur e pafajshme nga Apeli i GJKKO, duke përmbysur vendimin e shkallës së parë që e kishte dënuar me 6 muaj burg për shkelje në tenderin “Kardhiq–Delvinë”.
Vendimi është dhënë nga trupa gjykuese e Apelit të GJKKO-së e përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi, Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj.
Gjykata ka vendosur të shpallë të pafajshëm edhe 9 të pandehurit e tjerë në këtë çështje, mes tyre Simon Prendi, Elona Gogo, Erdit Salillari, Admir Pahumi, Nikollaq Mihali, Miranda Shkurti, Arbër Troka, Almir Hoxhaj dhe Arjana Hasani.
Sipas vendimit të Apelit, fakti i paraqitur nuk përbën vepër penale për disa nga të akuzuarit, duke lënë në fuqi pjesërisht vendimin e shkallës së parë dhe duke ndryshuar pjesën tjetër të tij në favor të të pandehurve.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të bien mbi shtetin. Vendimi është shpallur në Tiranë më 20.04.2026.


