Bllokimi i hapësirës ajrore shqiptare nga defekti në Albcontrol / Reagon Aeroporti i Rinasit

Avaria teknike në sistemin e monitorimit të "Albcontrol" ka shkaktuar kaos me oraret e udhëtimeve pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Aeroporti ka reaguar zyrtarisht duke raportuar se, deri më tani janë regjistruar pesë fluturime të anuluara plotësisht, ndërsa një tjetër është shtyrë për ditën e nesërme.
Përveç anulimeve, problemet teknike kanë sjellë vonesa të konsiderueshme për 12 fluturime në nisje dhe tre të tjera në mbërritje.
Mësohet se, Aeroporti Nënë Tereza ka angazhuar stafin maksimal në terminal për menaxhimin e pasagjerëve të prekur nga këto ndryshime.

Njoftim
Për shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie.
Problematika u adresua menjëherë dhe aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më të shpejtë të situatës. Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive të tyre ajrore për informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit.
Siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.


