E premtja e zezë për Tiranën, një i vrarë, dy të plagosur dhe dy të vetëvrarë brenda ditës

Tirana u trondit të premten nga disa ngjarje të rënda brenda pak orësh, ku u shënuan një i vrarë dy të plagosur dhe dy të vetëvrarë.
Në zonën e ish Parkut, 31-vjeçari Egli Pashollari u sulmua sapo doli nga makina e tij nga tre persona, dy djem dhe një vajzë. Konflikti degjeneroi në përleshje fizike dhe njëri prej agresorëve e goditi në kurriz me thikë. 31-vjeçarit iu dha ndihma e parë pranë një lokali në zonë dhe më pas u transportua me urgjencë drejt spitalit nga persona që ndodheshin në vendngjarje. Fatkeqësisht, Pashollari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar shtetasin Gazmend Buçpapa. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.
Një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë, ku një person u plagos me armë zjarri. Sipas policisë, i plagosuri është 34-vjeçari Akil Koxhaxhiku. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Autori Besaj Ferazini është shpallur në kërkim nga policia. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak se autori kishte pasur lidhje me bashkëshorten e të plagosurit.
Pak orë më vonë një plagosje me thikë u shënua në zonën e Kombinatit, ku mbeti i plagosur një 27-vjeçar i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Policia ka identifikuar autorin, i cili është shpallur në kërkim.
E premtja e zezë për Tiranën u mbyll me dy viktima, shkak u bënë vetëvrasjet. Një 42-vjeçar u vetëvra duke u hedhur nga ura e Babrroit, ndërsa një 27 vjeçar u vetëvra me armë zjarri në banesën e tij te Rruga Ura.
Disa ngjarje të rënda në zemër të kryeqytetit kanë ngritur sërish shqetësimin për sigurinë publike, ndërsa pritet zbardhja e plotë e rrethanave për çdo ngjarje nga policia.


