Domatet me pesticide, Prokuroria Berat: Mashtrim me produktet ushqimore, 4 vepra penale

Aktualitet

Domatet me pesticide, Prokuroria Berat: Mashtrim me produktet ushqimore, 4 vepra

Prokuroria e Beratit ka ndarë detaje nga hetimet e zhvilluara deri në këto momente në lidhje me konstatimin e eksportit të një sasie prej 8 tonësh domate me preparatin pesticid “Chlorfenapyr” të një kompanie shqiptare drejt Kroacisë.

Përmes një njoftimi, Prokuroria bën me dije se për këtë rast ka caktuar katër vepra penale, teksa thekson se bëhet fjalë për një rast mashtrimi me produktet ushqimore, që përbëjnë rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, kërkoi ndalimin e tre shtetasve M.Q., R.L. dhe G.D., mes të cilëve dy inspektorë për sigurinë ushqimore për veprën penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’ si dhe për ‘shpërdorim detyre’, parashikuar nga nenet 288, 288/c, 186 dhe 248 të Kodit Penal. 

Pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat në bashkëpunim me seksionin kundër Krimit Ekonomik e Financiar dhe forcat operacionale të policisë, rezultoi se autoritetet Kroate konstatuan dhe më pas asgjesuan një sasi prej rreth 8 tonë domate e eksportuar nga subjekti “Era-Fruit”, me administrator shtetasin M. Q., sasi kjo që pas analizave rezultoi me nivel të perparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë. 

Në lidhje me këtë sasi, rezultoi se shtetasi M. Q. ka prerë një faturë blerje fiktive nga një fermer dhe e ka përdorur për praktikat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të mbajtur nga AKU Berat, duke u munduar të shmangë përgjegjësinë e tij ligjore për produktin që ka prodhuar dhe tregtuar. 

Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo sasi domate e rrezikshme për shëndetin e njerëzve është prodhuar dhe më pas eksportuar nga vetë shtetasi M.Q. Ky shtetas është nën akuzë për veprat penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore rezultoi se inspektorët e AKU-së Berat, shtetasit R.L. dhe G.D., pas njoftimit nga sistemi Rasff, kryen inspektim më datë 29.08.2025 në subjektin “Era Fruit” dhe nuk konstatuan sasinë e domateve të ndodhur në magazinën e subjektit, duke plotësuar praktikën sikur aty nuk gjendej asnjë sasi domateje, duke mos bërë kështu edhe bllokimin dhe marrjen e mostrave për kryerjen e analizave për këtë produkt.

Këta inspektorë, kanë marrë të mireqenë si të rregullt faturën fiktive të prerë nga shtetasi M.Q., të pa firmosur nga fermeri/shitësi duke mbajtur mbi bazën e tij raportin e gjurmshmërisë së produktit dhe duke tjetërsuar faktet në lidhje me origjinën e produktit të konstatuar me probleme. 

Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat u sekuestruan dhe morën mostra për analiza të produkteve të ndryshme si domate, speca dhe kastraveca të konstatuara në subjektin “Era Fruit”, produkte këto të dyshuara të kontaminuara.

ME TE LEXUARAT