Forcat e Sigurisë së Kosovës zhvillojnë ushtrime fushore për rritjen e gatishmërisë operacionale

Në kuadër të përmirësimit të kapaciteteve të tyre operacionale, kompanitë e Regjimentit të tretë të Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) realizuan me sukses ushtrime fushore në nivel skuadre dhe togu.
Stërvitjet, të koduara “Kilo Mike”, “Stuhia e Marsit 2026” dhe “Sierra 26”, synuan të forcojnë gatishmërinë e personelit dhe të avancojnë përgatitjen profesionale të trupave.
Gjatë ushtrimeve, pjesëmarrësit trajnuan operacione të mbështetjes logjistike, zhvilluan aftësi taktike individuale dhe përmirësuan koordinimin ndër-njerëzor.
Ushtrimet u zhvilluan në terrene kodrinoro-malore, duke testuar gatishmërinë fizike të trupave dhe aftësinë për t’u përballur me kërcënime në kushte të vështira.
FSK thekson se aktivitetet e këtij lloji janë pjesë e një programi të vazhdueshëm për të ruajtur dhe ngritur kapacitetet operative, duke garantuar reagim të shpejtë dhe efikas ndaj çdo situate emergjente që mund të paraqitet në terren.


