Sulmi kibernetik i Iranit, reagon Kuvendi: U fshinë disa të dhëna, por s’janë prekur sistemet kryesore! Morëm masa

Kuvendi ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik nga një grup hakerash të lidhur me Iranin duke bërë me dije se ka ndodhur mbrëmjen e së hënës. Është vënë re një hyrje e paautorizuar në rrjet dhe fshirja e një pjese informacionesh në disa llogari.
Kuvendi bën me dije se sulmi ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e sistemeve të brendshme, por asgjë s’është prekur. Njëkohësisht janë marrë masat e nevojshme për izolimin dhe neutralizimin e sulmit, si edhe rikuperimin e të dhënave të fshirja.
“Në përgjigje të interesimit të medias, Kuvendi i Shqipërisë informon se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës. Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme. Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht. Menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve”, thotë njoftimi.
Gjithashtu, veç institucioneve të posaçme për sigurinë kibernetike, është ofruar mbështetje edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
“Për këtë situatë është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po punon për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura. Në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, gjatë këtyre orëve është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm”, përfundon njoftimi i Kuvendit./Shqiptarja


