Tensionet e larta në Lindjen e Mesme, biznesmeni grek sfidon bllokadën, kalon naftë përmes Ngushticës së Hormuzit

Një nga figurat më të njohura të industrisë së transportit detar, biznesmeni grek George Prokopiou, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare pasi disa cisterna të kompanisë së tij kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht tensioneve të larta në rajon.
Sipas mediave ndërkombëtare, të paktën pesë anije të kompanisë Dynacom Tankers, në pronësi të sipërmarrësit 79-vjeçar, kanë kaluar në këtë korridor strategjik detar, nga ku kalon rreth 20% e naftës së tregtuar në botë.
Për të realizuar këto udhëtime me rrezik të lartë, cisternat kanë marrë masa të shtuara sigurie. Në bord ndodhen roje të armatosura, ndërsa në disa raste janë fikur edhe transponderët që tregojnë pozicionin e anijes. Megjithatë, misionet konsiderohen shumë të rrezikshme për ekuipazhin, pasi ushtria iraniane ka sulmuar më parë mjete detare në zonë.
Për të kompensuar rrezikun, kompania thuhet se u ka premtuar marinarëve rritje të ndjeshme pagash dhe kompensime të larta në rast vdekjeje apo plagosjeje të rëndë.
Megjithatë, rreziku shoqërohet edhe me fitime të mëdha. Kërkesa për transport nafte është rritur ndjeshëm dhe disa vende, përfshirë Kinën, janë të gatshme të paguajnë deri në 500 mijë dollarë në ditë për cisternat që transportojnë naftë përmes Hormuzit – rreth pesë herë më shumë se para përshkallëzimit të konfliktit.
George Prokopiou konsiderohet një nga figurat më të fuqishme në industrinë globale të transportit detar. I lindur në Athinë në vitin 1946, ai bleu cisternën e tij të parë në vitet ’70 dhe themeloi kompaninë Dynacom Tankers në vitin 1991. Sot flota e tij numëron 73 anije dhe mbi 5.500 marinarë.
Pasuria e tij vlerësohet rreth 4.7 miliardë dollarë. Pavarësisht kësaj, Prokopiou njihet për një stil jetese relativisht diskret: udhëton me një Mercedes të vjetër të zi, mban shpesh një kapele bejsbolli dhe kalon një pjesë të madhe të kohës në jahtin e tij luksoz “Dream”.
Kompania e tij ka transportuar vitet e fundit edhe naftë ruse, duke deklaruar se respekton kufizimet e çmimeve dhe sanksionet ndërkombëtare. Fitimet e mëdha nga transporti detar kanë bërë që kompania të porosisë edhe 53 cisterna të reja, ndërsa krizat globale dhe tensionet në rrugët detare kanë rritur ndjeshëm kostot e transportit dhe fitimet e armatorëve.


