SPAK kërkon arrestimin/ Kuvendi voton të enjten për imunitetin e Ballukut, zbardhet rendi i ditës i seancës

Të enjten e 12 marsit do të zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë seanca plenare, ku do të trajtohen disa çështje me rëndësi, mes tyre edhe imuniteti i Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
Pas miratimit të procesverbalit të seancës plenare dhe njoftimeve përkatëse, menjëherë do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Heqja e imunitetit të Ballukut kërkon një shumicë të thjeshtë votash (71 vota) në Kuvend. Pas fjalës që pritet të mbajë Balluku në Kuvend, do të paraqiten raportet nga opozita dhe mazhoranca dhe më pas do të votohet.
Po ashtu në Kuvend gjatë ditës së enjte pritet të shqyrtohen edhe disa projektvendime të tjera, si ai “‘Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit’, i ndryshuar”, si dhe marrëveshja për huan financiare mes Shqipërisë dhe KfË, Frankfurt am Main (KfË).
Projektvendimet që pritet të shqyrtohen të enjten në Kuvend:
1.Projektvendimi “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
(Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës dhe neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim).
Pasi të flasë deputetja Balluku, paraqitet raporti nga opozita. Më pas paraqitet raporti i mazhorancës dhe në fund votohet.
2. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Metrit, nënshkruar në Paris, më 20 maj 1875, të ndryshuar me konventën e nënshkruar në Sèvres, më 6 tetor 1921, dhe rregulloren përkatëse”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)
3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfË, Frankfurt am Main (KfË), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)
4. Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 64/2025, “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”. (Në mbështetje të nenit 78, pika 1, të Kushtetutës, si dhe të neneve 21, pika 1, dhe 55 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)
5. Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.
(Në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, si dhe neneve 21/1 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)
6. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. (Në mbështetje të nenit 45 të Rregullores së Kuvendit: Çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta dhe nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Koha e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.)/Shqiptarja


