IKMT shemb objektin dykatësh në Spathar, pjesë e projektit për ndërtimin e segmentit Elbasan-Prrenjas

Një objekt dykatësh me strukturë betoni është shembur këtë të shtunë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në zonën e Spatharit, në kuadër të vijimit të punimeve për një nga akset kryesore rrugore në vend.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i IKMT-së, Afrim Qëndro, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale sqaroi se ndërhyrja është kryer për t’i hapur rrugë vazhdimit të projektit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e segmentit Elbasan-Përrenjas-Qafë Thanë.
Sipas tij, ky aks rrugor përbën një arterie të rëndësishme infrastrukturore për të gjithë rajonin juglindor të vendit dhe do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit dhe lidhjes mes zonave.
“Në zonën e Spatharit, ku Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit shembi një objekt dykatësh për t’i hapur rrugë vazhdimit të projektit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e segmentit rrugor Elbasan-Përrenjas-Qafë Thanë. Një arterie kjo e rëndësishme e infrastrukturës për gjithë rajonin juglindor të vendit”, u shpreh Qëndro.


