"Do jem lagje më lagje dhe rrugë më rrugë" - Erion Braçe nuk tërhiqet nga kandidimi për Tiranën: Do e bëj kryebashkiakun siç ...

Erion Braçe ka lënë të kuptohet se nuk tërhiqet nga angazhimi i tij politik për Tiranën, përmes një postimi të fundit në rrjetin social “Facebook”, ku ka ndarë edhe një intervistë të dhënë një vit më parë në emisionin “Dritare”.
Në postimin e tij, Braçe kujton periudhën kur u zgjodh deputet i Njësisë nr. 5 në Tiranë, pas katër vitesh punë në terren, duke theksuar se përfaqësimi, sipas tij, nuk është “vanitet”, por “punë”.
Ai shprehet se është i bindur se në zonën që përfaqëson nuk ka qytetar që të thotë se nuk e njeh deputetin e tij, duke e lidhur këtë me angazhimin e vazhdueshëm në terren.
Duke bërë një paralelizëm me situatën aktuale në kryeqytet, Braçe shkruan se Tirana prej një viti është pa kryetar bashkie dhe shpreh gatishmërinë për të marrë një rol aktiv në rikthimin e drejtimit të saj.
“Tani Tirana prej një viti është pa kryetar; do ta rikthej edhe kryetarin e bashkisë me të njëjtin përkushtim siç ktheva deputetin, lagje më lagje dhe rrugë më rrugë”, shkruan ai, duke lënë të nënkuptohet vijimësinë e ambicies së tij politike në nivel lokal.