"Jam i krishterë"/ Rama: Besoj gjykimin që vjen në fund, por varet nga kush…

Aktualitet

"Jam i krishterë"/ Rama: Besoj gjykimin që vjen në

Edi Rama, në një intervistë në “Exclusive” në Top Channel, thotë se është pagëzuar katolik nga gjyshja e tij, e megjithatë nuk është nga ata të krishterë që zë radhën për të hyrë te dera e Kishës.
“Kështu që kjo më ndihmon që të shoh pa asnjë rezervë edhe fetë e të tjerëve dhe të kuptoj tek fetë e të tjerëve faktikisht reflektohet i njëjti Zot”, thotë kryeministri.

I pyetur nëse e beson gjykimin që vjen në fund ai përgjigjet “Unë e besoj gjykimin që vjen në fund, por varet nga kush”.

Pjesë nga intervista

Monika Stafa: Ju jeni i krishterë dhe jetoni çdo ditë me mendimin se besimet pasqyrohen tek njëri-tjetri. Si keni arritur në këtë përfundim?

Edi Rama: Shiko unë jam pagëzuar katolik nga gjyshja ime katolike dhe ky është një fakt. Jam i krishterë nga famija dhe ky është një fakt. Por unë nuk jam në rreshtin e të krishterëve që zënë radhën për të hyrë në derën e Kishës dhe i nënshtrohen ritualeve të tyre, sepse nuk e kam kështu të konceptuar marrëdhënien me fenë. Kështu që kjo më ndihmon që të shoh pa asnjë rezervë edhe fetë e të tjerëve dhe të kuptoj tek fetë e të tjerëve faktikisht reflektohet i njëjti Zot. Dhe në fund të ditës librat e shenjtë duken të shkruar nga i njëjti autor, që është një dhe i vetëm. Në këtë drejtim kam krijuar edhe idenë për të ndërtuar Parkun e Besimit dhe për të krijuar atë hapësirë ku nuk ka Kisha, nuk ka Xhamia, nuk ka Sinagoga dhe tempuj të tjerë, por ku përmes luleve, përmes pemëve, përmes frutave, përmes tregimeve të librave të ndryshëm të shenjtë, ti njihesh në një mënyrë tjetër me fetë e ndryshme dhe ndërkohë tavan ke qiellin që i bashkon të gjithë dhe jo tavanin e Kishës apo Xhamisë.

Stafa: Në fjalimet tuaja ju predikoni shpesh ndjekjen e së mirës dhe të së drejtës. Në rolin e Kryeministrit, sa gjithmonë është i arritshëm ky qëllim?

Edi Rama: Në rolin e Kryeministrit është gjithmonë e arritshme që ti të mos zgjedhësh të keqen apo të padrejtën me qëllim. Është gjithmonë e arritshme. Ama nuk të detyron të jesh qëllimisht i keq apo qëllimisht i padrejtë, ndërkohë që mund të ndodhë dhe i ndodhë të gjithëve që ti në mirëbesim merr një vendim që mund të mos jetë i duhuri dhe mund të mos sjellë të mira dhe mund të bëjë një dëm. Por ama në mirëbesim.

Stafa: Diku tjetër në një pasazh shkruani: “Nuk ka luftra mes feve, por ka luftra mes injorantëve”. Ne jetojmë në një botë të mbushur me konflikte, secila nga këto luftra ka një bazë fetare. Megjithatë ju thoni të marrë nga Dostojevski, që “Këtë botë do ta shpëtojë e bukura”. Cila është kjo e bukur zoti Kryeministër?

Edi Rama: Ky është një besim, por nuk është një formulë shpëtimi. Por është një besim sepse poezitë, pikturat, librat, këshillimet e shkencës, nuk e kanë penguar njeriun që të vrasë njeriun dhe nuk kanë ndaluar ndonjë luftë. Por ndërkohë rruga e njeriut është rruga e përpjekjes për t’u përsosur dhe rruga për të lënë gjurmë, dhe këtu tek përsosja dhe lënia e gjurmës ngatërrohen pastaj nganjëherë dhe për fat të keq shpesh herë edhe qëllimet dhe vlerat e gjurmëve që lë. Sepse edhe një që vendos të bëhet kamikaz, e shikon si rrugë përsosje dhe si mënyrë për të lënë një gjurmë të thellë në historinë e popullit të vet. Kështu që në fund fare jeta është një çështje zgjedhje, sepse nëse Zoti ekziston dhe na ka bërë të gjithëve njerëz, na ka lënë po ashtu dhe lirinë të zgjedhim. Dhe nuk na e ka zgjidhur me magji, me dekret nga lart asnjë dilemë. Dilemat janë tonat dhe ne duhet të bëjmë zgjedhjet tona, pastaj në fund vjen gjykimi që secili…

Stafa: E beson gjykimin që vjen në fund?

Edi Rama: Unë e besoj gjykimin që vjen në fund, por varet nga kush. Unë nuk hyj që të shpjegoj apo t’i shpjegoj vetes se cila është shkalla më e lartë e gjykimit, por besoj që gjykimi i atyre që të kanë njohur, gjykimi i atyre që të kanë besuar, gjykimi i atyre që nuk të njohën por që kanë mundësi të shikojnë gjurmët që ke lënë, janë të gjitha të rëndësishme. Im atë, ndjesë pastë, thoshte: “Në fund të ditës asgjë nuk ka vlerë, përveç se kujtimit të mirë.” Dhe kjo bën shumë sens.

Stafa: dhe në fund kur do shëtisim në Parkun e Besimit?

Edi Rama: Është një kompleks ndërtimi i Parkut të Besimit dhe Parku i Besimit do të kërkojë vite për t’u bërë ai që duhet, sepse do të duhet të rriten krijesat… por shpresoj shumë që mos të humbasim shumë kohë për ta filluar, pastaj do të na duhen disa vite për ta parë. ..Por ti je e re, kështu që do kesh mundësi për të shëtitur në Parkun e Besimit.

Stafa: Kur vjen libri tjetër?

Edi Rama: Nuk e kam një plan, por do vijë vetë.

ME TE LEXUARAT