Kontenieri me mallra të bllokuara imbarkohet gabimisht në anije, Doganat sqarojnë incidentin në Portin e Durrësit

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar se në Portin e Durrësit është ushtruar një kontroll në bashkëpunim me Grupin e Antikontrabandës, ku janë konstatuar mallra të dyshuara si falsifikime që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve në një kontenier të deklaruar për tranzit, janë gjetur produkte të dyshuara dhe është vendosur bllokimi i tyre, ndërsa mallrat janë zhvendosur në një kontenier tjetër të plumbosur për ruajtje, në pritje të verifikimeve të mëtejshme ligjore.
Më pas, sipas Doganave, kontenieri i plumbosur me mallrat e sekuestruara është ngarkuar gabimisht në një anije si kontenier bosh dhe është transportuar jashtë portit, pa u konstatuar në moment nga autoritetet portuale.
Pas konstatimit të mungesës së tij, autoritetet doganore kanë nisur verifikimet dhe kanë kontaktuar menjëherë Autoritetin Portual dhe agjencinë detare. Kontenieri është kthyer në port dhe, sipas kontrolleve paraprake, nuk janë konstatuar ndërhyrje në plumbosje.
Strukturat e hetimit doganor, në bashkëpunim me Prokuroria e Durrësit, kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme. Në paralel, pritet të vlerësohet edhe përgjegjësia disiplinore e punonjësve të përfshirë.


