Kredia e bashkisë për të pastrehët, dy detajet që ju skualifikojnë nga programi

Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjen më të rëndësishme për mijëra familje që janë të pastreha dhe kanë nevojë për financim me kushte të buta.
Sipas të dhënave, thirrja është hapur në datën 20 prill dhe do të jetë e hapur deri në 19 maj. Kushti thelbësor për të aplikuar është që çdo individ të jetë rezident, pra i regjistruar me vendbanim në Tiranë, ndërsa nuk duhet të ketë asnjë pronë të regjistruar në emrin e tij.

Eriola Çanga, eksperte e tregut real estate, thotë se individët e interesuar duhet të jenë shumë të kujdesshëm në plotësimin e kritereve, pasi nuk mjafton vetëm fakti që kanë statusin si të pastrehë.
“Çdo individ që aplikon duhet të jetë mbi 18 vjeç. Nëse në pronën e prindërve rezulton i/e regjistruar edhe individi i interesuar për kredi ai automatikisht është i skualifikuar. Nuk mjafton vetëm fakti që konsiderohet i pastrehë, por ai duhet të jenë nën kushtet mesatare edhe të të pastrehit që lidhet edhe me të ardhurat mujore që disponon”, tha Çanga gjatë një interviste në “E-ZONE”.
Përveç moshës, vendbanimit dhe faktit që nuk duhet të ketë pronë, një tjetër kriter i rëndësishëm janë të ardhurat mujore të individit, në bazë të të cilave jepet dhe kredia.

“Familjet e interesuara duhet të dinë që bashkia me programin për kreditë pa interes që ofron, nuk mbulon të plotë vlerën e shtëpisë. Është e domosdoshme që një pjesë të buxhetit duhet ta disponojë vetë aplikanti. Ka raste kur bashkia mund të shpallë fitues, por të skualifikon banka pasi nuk plotëson kriteret e të ardhurave. Ndaj aplikantët duhet të jenë të kujdesshëm se nëse kalojnë disa tavane të ardhurash që ka vendosur bashkia, ata s’kualifikohen”, tha Çanga.
Pjesa tjetër e procesit është gjetja e pronës. Sipas ekspertes së tregut të real estate të interesuarit bllokohen në këtë hallkë të procesit, pasi pronat me tipologji 1+1 kërkohen shumë dhe shiten shpejt. Ndaj në raste të tilla konsulta me agjentë të tregut është një mundësi për të mos u bllokuar. /vizionplus.tv


